Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Nivelin e Pagave në Kosovë” për vitin 2023.
“Ky publikim përmban të dhëna për pagën mesatare bruto dhe neto sipas sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike në Sektorin Publik (Administrata), Ndërmarrjet Publike dhe Sektorin Privat në Kosovë. Të dhënat e sektorit privat nuk janë të përfshira shtesat në pagën mujore, sepse ato përfshihen në deklaratën vjetore si qarkullim. Derisa tek sektori publik (pagat që paguhen nga Buxheti i Republikës së Kosovës) ka ngritje të pagës bruto dhe neto, krahasuar me vitin paraprak”, njofton ASK.
Sipas ASK-së, në vitin 2023, pagat mesatare bruto në Kosove ishin 570 Euro, derisa në vitin 2022 ishin 521 Euro. Pra, kishte një rritje prej 49 Eurosh nga viti paraprak. Kurse, paga neto, në vitin 2023 ishte 506 Euro, krahasuar me vitin 2022 që ishte 446 Euro. Pra, një rritje prej 60 Eurosh.
Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2023 ishte 515 Euro, derisa në vitin 2022 ishte 473 Euro. Pra, kishte një rritje prej 42 Eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto ishte 459 Euro, krahasuar me vitin 2022 e cila ishte 401 euro. Pra, një rritje prej 58 Eurosh.
“Tek sektori publik vërehet një rritje e konsiderueshme e pagës për rreth 18 % krahasuar me vitin paraprak, dhe kjo rritje ka ardhur si rezultat i hyrjes në fuqi të Ligjit për pagat në sektorin publik (Ligji nr. 08/L-19) nga muaji janar 2023. Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2020 ishte 624 Euro, derisa, në vitin 2023 ishte 713 Euro, duke u rritur për 89 Euro, ose 14.2%. Ndërsa, paga mesatare neto nga 552 Euro, sa ishte në vitin 2020, u rrit në 630 Euro në vitin 2023. Një rrije prej 78 Eurosh, ose 14.1%”, njofton ASK.
Paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2020 ishte 769 Euro, derisa në vitin 2023 ishte 789 Euro. Një rritje prej 20 Eurosh ose 2.6%. Ndërsa, paga mesatare neto nga 680 Euro, sa ishte në vitin 2020, u rrit në 691 Euro në vitin 2023. Një rrije prej 11 Eurosh, ose 1.6%.
Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.
Paga mesatare bruto në vitin 2023, sipas aktiviteteve ekonomike, më a larta ishte te: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (1039 Euro); dhe Informim dhe komunikimi (974 Euro). Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim (345 Euro).
“Paga mesatare neto në vitin 2023, sipas aktiviteteve ekonomike, ka të njëjtën renditje si më poshtë: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (870 Euro); Informim dhe komunikim (850 Euro); Akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim (312 Euro)”, njofton ASK.