Banka Botërore parashikon këtë përqindje të rritjes ekonomike për Kosovën dhe rajonin

Ekonomi

Banka Botërore parashikon këtë përqindje të rritjes ekonomike për Kosovën dhe rajonin

Më: 17 tetor 2024 Në ora: 15:50
Foto ilustrim

Banka Botërore vlerëson se shumica e ekonomive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përjetuan rritje të moderuar ekonomike gjatë vitit 2024, ndonëse paralajmëron se parashikimi për të ardhmen mbetet i pasigurt. Në raportin Bankës Botërore me titull “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, parashihet që Kosova të ketë normën e rritjes ekonomike prej 3.8 për qind.

Sipas Bankës Botërore, për vitin 2025, Kosova do të ketë rritje ekonomike 3.9 për qind.

"Faktorët e brendshëm vijojnë të mbështesin një përshpejtim më ritëm të moderuar të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Përveç kësaj, në periudhë afatmesme, rimëkëmbja graduale e aktivitetit ekonomik në Bashkimin Evropian pritet të luajë rol vendimtar në forcimin e eksporteve të rajonit," u shpreh Isolina Rossi, ekonomiste në Bankën Botërore dhe autore kryesore e raportit.

Më tej ai ka shtuar se, “Pavarësisht perspektivës pozitive, rajoni vijon të mbetet i ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh, si rritja e ngadaltë ekonomike në nivel global, kthimi i inflacionit sërish në nivele të larta, pasiguritë politike dhe ngjarjet ekstreme të motit”.

BB njofton se Shqipëria do të ketë rritje ekonomike për këtë vit 3.3 për qind, ndërsa në vitin 2025 norma e kësaj rritje pritet të jetë 3.4 për qind. Mali i Zi për vitin 2024 do të ketë 3.4 për qind, për vitin 2025 ajo pritet të jetë 3.5 për qind. Ndërsa, Maqedonia Veriore për këtë vit pritet të ketë rritje ekonomike 1.8 për qind, ndërsa për vitin 2025 parashihet të jetë 2.5 për qind.

Serbia pritet të ketë rritje ekonomike për këtë vit 3.8 për qind, ndërsa për vitin 2025 kjo rritje pritet të jetë sipas Bankës Botërore 4.2 për qind.

Sipas Bankës Botërore, me forcimin e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor, standardet e jetesës në rajon po vijojnë të konvergojnë gradualisht me ato të ekonomive më të përparuara të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, ruajtja e vrullit të rritjes dhe përshpejtimi i ritmit të konvergjencës kërkon reforma strukturore, përfshirë ato të përshkruara në Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian”, thuhet në raport.

Sipas raportit, nëse menaxhohet në mënyrë efektive, migracioni mund të ndikojë pozitivisht në zbutjen e varfërisë, nxitjen e eksporteve dhe thithjen e investimeve, duke rezultuar në këtë mënyrë në krijimin e vendeve të punës dhe transferimin e njohurive.

“Për shembull, remitancat mund të përmirësojnë burimet financiare për familjet e emigrantëve. Përveç kësaj, kthimi i emigrantëve të kualifikuar mund të sjellë një “kthim të trurit' në vendet e tyre të origjinës, ndërsa joshja nga paga më të larta jashtë vendit mund të motivojë arsimimin dhe rritjen e aftësive për ata që vendosin të qëndrojnë”, thuhet në raport. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat