Murati: Me ne gati dyfish më shumë vende pune sesa në qeveritë tjera

Ekonomi

Murati: Me ne gati dyfish më shumë vende pune sesa në qeveritë tjera

Më: 20 tetor 2024 Në ora: 12:57
Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati pretendon se raporti i fundit i Bankës Botërore u “keqcitua”.

Ai shkroi në një postim në Facebook se në fund të vitit 2023 ndodhi “rënia më rapide e regjistruar ndonjëherë” e papunësisë.

“Si ka ecur numri i të punësuarve dhe shkalla e papunësisë nëpër vite? Ditë më parë ishim dëshmitarë se si media të afërta me opozitën tentuan të keqpërdorin një raport të Bankës Botërore, duke e keqcituar dhe duke pretenduar se raporti po demanton shifrat e Qeverisë. Por ku qëndron e vërteta sa u përket shifrave të punësimit dhe papunësisë?”, shkruan Murati, duke prezantuar disa statistika të ASK-së.

Sipas tij, “në Qeverinë kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë tjera bashkë, nga viti 2012 e këtej”.

“Sipas statistikave zyrtare të ASK-së: Në fund të vitit 2023 kanë qenë 425 mijë të punësuar. Për periudhën 3-vjeçare të Qeverisë Kurti, sipas raportit janë shtuar 78,427 vende pune. Për krahasim, gjatë qeverisjeve të kaluara janë shtuar vetëm 44,228 vende pune, për 8 vite. Vitet kur ka pasur zgjedhje, në qeveritë e kaluara vërehet një rritje e përkohshmee të punësuarve, e cila pastaj vitin pasues zhbëhet dhe numri i të punësuarve ulet përsëri. Kjo dëshmon për punësimin e paqëndrueshëm gjatë fushatave zgjedhore kur qeverisnin të tjerët. I vetmi rast kur edhe pas vitit zgjedhor vazhdon rritja e punësimit, është në Qeverinë Kurti, përkundër faktit që në vitin 2021 kishim zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale. Kjo dëshmon se punësimi gjatë qeverisjes sonë ka qenë i qëndrueshëm, dhe se masat që kemi ndërmarrë për mbështetje të ekonomisë kanë funksionuar. Shkalla e papunësisë nga 25.9% sa ka qenë në vitin 2020, ka rënë në 10.9% në fund të vitit 2023. Kjo njëkohësisht shënon rënien më rapide të regjistruar ndonjëherë”, shton ai.

Murati thotë se Qeveria i referohet “indikatorit më të saktë” për matjen e punësimit.

“Gjithsesi, për të evituar diskutimet mbi metodolgjinë e përllogaritjes së shkallës së papunësisë, Qeveria pothuajse çdoherë i është referuar shifrës absolute të të punësuarve, e cila është indikatori më i saktë për të treguar se sa është rritur punësimi. E ky indikator, siç edhe mund të shihet, tregon se në Qeverinë kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë tjera bashkë, nga viti 2012 e këtej”, shkruan ai.

Murati tha se do të flasë “në një postim tjetër” për shifrën e përmendur nga Banka Botërore.

“Kurse sa i përket shifrës së cituar nga raporti i Bankës Botërore, në një postim tjetër mund të flasim edhe për atë indikator, por të jeni të sigurt që edhe aty kur e shohim trendin nëpër vite, Qeveria Kurti qëndron pakrahasueshëm më mirë sesa qeveritë e kaluara”, shkroi ai.

Papunësia ka rënë në të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës”, tha të enjten Banka Botërore në një raport të fundit, që thoshte se veç 37.1% e kosovarëve janë të punësuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat