Vlera e eksporteve në shtator tkurret për 1.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023

Ekonomi

Vlera e eksporteve në shtator tkurret për 1.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023

Më: 23 tetor 2024 Në ora: 19:31
Ilustrim

Pa ndonjë indikator faktik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në dy vitet e para të marrjes së mandatit si kryeministër, nuk la paraqitje pa pretenduar se fluksi pozitiv i eksporteve në atë botë ishte kryekëput për shkak të punë së Qeverisë të udhëhequr prej tij, pavarësisht se eksportet kanë qenë në një trajektore rritëse pothuajse që nga paslufta.

Në vitin e fundit të mandatit qeverisës, avazi i këtyre pretendimeve ka nisur të zbehet me produktet e Kosovës që po zvogëlojnë prezencën në tregjet ndërkombëtare në njërën anë dhe thellimin e deficitit tregtar në anën tjetër.

“Deficiti i llogarisë korrente (CAD) për gjashtëmujorin e parë të vitit është rritur me një të katërtën nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, i nxitur nga një deficit më i lartë në bilancin e mallrave.” – thuhet ndër të tjera në raportin e fundit të Bankës Botërore.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin shtator, vlera e eksporteve shënoi rënie për 1.1 për qind.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej (-4.3%) në muajin shtator 2024, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2023, gjegjësisht në vlerë prej 429,4 milion euro krahasuar me deficitin 448,6 milion euro në vitin 2023. Eksporti mbulon importin (15.3%). Eksporti i mallrave në muajin shtator 2024 kishte vlerën 77,5 milion euro, ndërsa importi 506,9 milion euro, është një rënie prej (-1.1%) për eksport si dhe një rënie prej (-3.8%) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.” – thuhet në njoftim.

Qeveria Kurti mori mandantin pikërisht në muajt e bumit të eksporteve në pranverën e 2021-shit, duke e bërë të bazë pretendimin se bumi post-pandemik i eksporteve u nxit nga politikat stimuluse të ekzekutivit aktual. Një tjetër indikator mbështetës i një konkluzioni të tillë është viti 2023 në të cilin eksportet shënuan rënie të ndjeshme krahasuar me vitin paraprak.

Në vitin 2021, eksportet e Kosovës u rritën në 575 milionë euro, duke shënuar një përmirësim të konsiderueshëm nga 474 milionë euro në vitin 2020. Megjithatë, importet gjithashtu u rritën ndjeshëm në 3,93 miliardë euro, duke rezultuar në një deficit tregtar prej 3,92 miliardë euro – më i larti ndonjëherë.

Deri në vitin 2022, eksportet u rritën edhe më shumë në 920 milionë euro, por fatura e importit u rrit në 5.63 miliardë euro, duke çuar në një deficit tregtar rekord prej 4.71 miliardë euro.

Viti 2023 rezultoi edhe më negativ për Kosovën në statistikat e tregtisë së jashtme pasi eksportet shënuan rënie krahasuar me vitin parapra. Nga ana tjetër, importet vazhduan të rriten, duke arritur në 5.91 miliardë euro.

Kjo rezultoi në deficitin tregtar të Kosovës në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 5.05 miliardë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat