Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka marrë pjesë në hapjen e sesionit të parë informues të Skemës së Granteve 2024-2027, raporton Ekonomi Online.
Kjo skemë e granteve arrin shumën prej 20 milionë eurosh, dhe siç bëri të ditur ministri, do të ndahet në tri lote të fokusuara për zhvillimin e agro-turzimit, zhvillimit rural dhe eko-turizimit.
Peci ka thënë se projekti do të implementohet në gjithë Kosovën, për një zhvillim bujqësor të balancuar në të gjithë territorin e vendit.
Ai ka theksuar se për herë të parë në vend, që nga paslufta, Kosova ka një marrëveshje ndërkombëtare në sektorin e bujqësisë që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
“Sot lansojmë aktivitetin e parë promovimin e projektit për agro-turizëm, zhvillim rural dhe eko-turizëm, që është një prej temave që kam qenë i angazhuar pothuajse dy vite për t’i jetësuar. Në aktivitetet e mija të shumta në terren, ku përfshihen edhe realizmi i vizitave, rreth 500 prej se jam ministër, unë kam parë nga afër nevojën dhe rëndësinë që Kosova ka në zhvillimin e agro-turizmit dhe ekoturizmit”.
Tutje, ministri ka shtuar se pret që në këtë projekt të aplikojnë sa më shumë minoritete.
“Duke pasur për bazë partneritetin që kemi pasur me GIZ-in gjerman dhe organizatat e tjera ne kemi mundësuar që për herë të parë pas luftës të kemi një marrëveshje ndërkombëtare në sektorin e bujqësisë, të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës, e cila e ka një vlerë monetare mbi 20 milionë euro. Projekti do të implementohet në gjithë Kosovën, sesione informues do të këtë në gjithë territorin, do të kihet parasysh që zhvillimi i balancuar i Kosovës të ketë një tretman më të veçantë”.
“Në Mitrovicë kemi filluar sepse në bazë të gjitha vlerësimeve, Mitrovica në aspektin e zhvillimit bujqësor qëndron më mbrapa, në funksion të saj përveç shumë specifikave të tjera edhe për shkak të cilësisë tokës, ose mungesës së tokave të konsoliduara, për shkak të mbetjeve industriale në të kaluarën, por edhe për shkak të disa rajoneve ku cilësia e tokës nuk është sikur e zonave të tjera por potenciali i zhvillimit rural përmes agro-turizmit është i jashtëzakonshëm. Këtu ka pjesëmarrës edhe të komuniteteve, jam i interesuar që të shohë sa më shumë projekte që do të jenë përfitues përfaqësues të komuniteteve jo shumicë”, ka thënë ai.
Edmond Gashi udhëheqësi i programit për zhvillim ekonomik në GIZ-in Gjerman, ka thënë se marrëveshja është e tëra rezultat i punës së ministrit Peci.
Ai tha se do të fillojnë më sesione informues në gjitha komunat e Kosovës.
“Ministri duhet të përgatitet për mandatin e ri për shkak se ka bërë një punë të mrekullueshme në sektorin e bujqësisë. Kjo marrëveshje që e kemi mes qeverisë gjerman dhe të Kosovës është rezultat i punës së ministrit. Është një prej marrëveshjeve të para që e kemi arritur në Kosovën e pas luftës të kategorisë së tillë”, ka thënë ai.
Shpresim Domi, profesor në Universitetin e Tiranës, prezantoi para të interesuarve projektin dhe kriteret që ata duhet t’i plotësojnë për të aplikuar.
“Skema e granteve është ndërtuar bazuar në tri lote. Në Lotin 1, maksimum i mbështetjes është 5 000 euro, minimumi është 1 500 euro e projektit. Pra, projekti varion mes 1 500 euro deri 5 000 euro, 100 për qind mbështetet subjekti aplikant më këtë rast. Në Lotin 2, mbështetja që ofrohet është 70 për qind e vlerës së projektit që ju do të propozoni për investim, minimumi i mbështetjes që merrni është 5 000 deri në 50 mijë euro. Në Lotin 3, vlera e mbështetjes varion nga 50 mijë deri në 350 mijë euro, mbështetja e ofruar nga skema është 60 për qind e vlerës së projektit që do të propozoni për të bërë investimin”, ka thënë ai.