Rrjeti Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN), anëtare e së cilës është Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), ka dorëzuar letrën e nënshkruar nga mbi 100 organizata të shoqërisë civile nga Ballkani në Këshillin Ekonomik dhe Social të BE-së (KEES/EESC), me kërkesën për përfshirjen e Kosovës në Iniciativën për Anëtarë nga Vendet Kandidate të Zgjerimit (ECMI), si dhe vazhdimin e kësaj iniciative edhe pas fazës pilot.
Në fillim të këtij viti, Këshilli Ekonomik dhe Social i Bashkimit Evropian, si institucion përgjegjës i BE-së për përfshirjen e partnerëve social nga sektori i punëdhënësve, punëmarrësve dhe organizatave të shoqërisë civile, pati lansuar këtë pilot projekt të përfshirjes të përfaqësuesëve të këtyre sektorëve nga vendet e zgjerimit të cilat ende nuk janë shtete anëtare të BE-së, duke lënë jashtë kësaj nisme vetëm Kosovën.
KCSF nëpërmjet një komunikate njofton se ka përcjellur me vëmendje zhvillimet në kuadër të kësaj nisme dhe në prill të këtij viti kishte nisur reagimin në kuadër të BCSDN-së, pasi që Këshilli Ekonomik dhe Social, vendosi që të përdorë kornizën e vendeve me status të vendit kandidat si kriter bazë për kualifikueshmërinë e përfshirjes në këtë nismë. Kjo kornizë bëri që Kosova të mbetet vendi i vetëm me perspektivë të anëtarësimit në BE që nuk përfshihet në këtë nismë.
“Duke e konsideruar këtë vendim të Këshillit Ekonomik dhe Social si të gabuar dhe në kundërshtim me vet vlerat dhe parimet që promovohen nga ky institucion i BE-së, KCSF bashkë me përfaqësues tjerë të shoqërisë civile dhe sindikatave nga Kosova më 24 maj 2024 ka pasur takim me udhëheqës të KEES/EESC ku është shprehur shqetësimi për mos-përfshirje të Kosovës dhe është kërkuar korrigjimi i këtij vendimi. Për më tepër, e njëjta kërkesë është përsëritur edhe në Konferencën e Nivelit të Lartë për shoqërinë civile që u zhvillua në Bruksel nga Këshilli Ekonomik dhe Social i BE-së, më 24 tetor 2024. KCSF vlerëson se përfshirja e Kosovës në këtë nismë është thelbësore për një bashkëpunim më të fortë rajonal dhe për të mbështetur rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit evropian”, thuhet në komunikatë.