Departamenti për Evropën i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), prezantoi në Prishtinë, raportin mbi perspektivën ekonomike rajonale të Evropës (REO).
Në këtë ngjarje morën pjesë mbi 60 përfaqësues nga institucione dhe organizata të ndryshme, duke përfshirë sektorin publik, atë akademik, sektorin financiar dhe organizata ndërkombëtare.
Prezantimi ofron një pikëpamje të zhvillimeve të fundit ekonomike dhe perspektivës së Evropës duke diskutuar se si zgjerimi i mëtejmë drejt BE-së mund të mbështes më tej integrimin dhe përshpejtojë përafrimin e vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, theksoi se sistemi financiar i Kosovës mbetet i qëndrueshëm, me likuiditet të lartë dhe i mirë kapitalizuar. Ai vuri në pah angazhimin e vazhdueshëm të BQK-së për reforma dhe harmonizimin e kornizës ligjore me standardet e BE-së, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
“Duke ruajtur një sektor bankar të rregulluar mirë dhe duke monitoruar nga afër treguesit kryesorë financiar dhe makroekonomikë, ne mund të përballojmë pasiguritë dhe të punojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Reformat tona synojnë forcimin e sektorit bankar dhe integrimin e tij drejt BE-së”, tha Ismaili.
Gjithashtu, ai përmendi përkushtimin për përmirësimin e kornizën ligjore dhe mbikëqyrëse sipas direktivave të BE-së dhe standardeve të Bazelit, me qëllim që sektori financiar të jetë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Ai theksoi se përfshirja financiare dhe mbrojtja e konsumatorëve janë prioritete të BQK-së, duke u angazhuar për të përmirësuar qasjen në shërbime financiare dhe për të mbrojtur të drejtat e konsumatorëve, me synimin për të krijuar një sistem financiar gjithëpërfshirës.
Raportin e prezantoi Sebastian Weber, dhe më pas pjesëmarrësit diskutuan mbi çështjet e ngritura nga raporti dhe zhvillimet ekonomike në vend.
Në panelin e diskutimit, zëvendësguvernatori për operacione bankare i BQK-së, Dardan Fusha, përfaqësuesi rajonal i rezident i FMN-së për Ballkanin Perëndimor, Sebastian Sosa diskutuan situatën ekonomike dhe financiare në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, ndërsa shefi i Misionit për Kosovë, David Amalgobeli elaboroi rolin e reformave fiskale dhe strukturore për maksimizimin e përfitimeve prej integrimit në BE.
Ndryshe, kjo ngjarje i paraprin konferencës së nivelit të lartë që do të mbahet për të shënuar 25-vjetorin e themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës.