Rritet kërkesa për energji elektrike, KESCO bën thirrje për ta kursyer

Ekonomi

Rritet kërkesa për energji elektrike, KESCO bën thirrje për ta kursyer

Më: 12 nëntor 2024 Në ora: 16:08
Foto ilustrim

KESCO ka bërë të ditur se është rritur kërkesa për energji elektrike, e cila po përdoret për ngrohje.

Përmes një njoftimi, është bërë e ditur se ditët e para të nëntorit tregojnë një rritje të kërkesës për rreth 18 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkohë u është bërë thirrje qytetarëve për kursim të rrymës.

”Kur ende nuk kemi hyrë në dimër, kërkesa ka shkuar në mbi 1100 megavat për orë në kohë pikut. Por, konsumatorët duhet ta kenë parasysh që Kosova ka tarifa që e nxisin kursimin e energjisë elektrike. Pra, sa më pak harxhojnë, aq më pak paguajnë jo vetëm si sasi, por edhe si çmim”, thuhet në njoftim.

Në njoftim u është rikujtuar qytetarëve se çmimet janë dukshëm më të larta për shpenzimin mbi 800 kWh.

“Evitimi i ngrohjes me energji elektrike është shumë i këshillueshëm për hapësirat e banimit ku kjo është e mundshme. Por, aty ku nuk është e mundshme, ndër metodat e kursimit është përdorimi i pajisjeve efiçiente, sikurse edhe përdorimi i ngrohjes në mënyrë efiçiente, duke mos krijuar temperatura shumë të larta.Izolimi i hapësirave të banimit është një hap tjetër i rëndësishëm që kursen rrymën që përdoret për ngrohje”, ka sugjeruar KESCO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat