Ekonomisti Besnik Avdiaj deklaroi se inflacioni mund të konsiderohet si një fenomen ekonomik “i shëndetshëm” për ekonominë vetëm kur mbahet brenda normave të kontrolluara, që zakonisht variojnë nga 2-3%.
Avdiaj theksoi se përshkallëzimi i inflacionit, siç ka ndodhur vitet e fundit në Kosovë, ka krijuar “kaos” për qytetarët me të ardhura të ulëta, duke ulur fuqinë e tyre blerëse.
“Rezultatet e publikuara mbi ndryshimet apo rritjen e çmimeve për produktet esenciale nuk na japin shumë motiv për përmirësim të situatës aktuale. Në afat të shkurtër, gjendja nuk pritet të ndryshojë dukshëm, ndërsa në afat të gjatë, institucionet nuk po arrijnë të stabilizojnë efektet e trendit global të rritjes së çmimeve, të ndikuara nga krizat ndërkombëtare,” tha Avdiaj në RTVD.
Ai shtoi se ekonomia e Kosovës është shumë e varur nga importi i mallrave dhe shërbimeve, gjë që ndikon drejtpërdrejt në lëvizjen e çmimeve dhe orientimin e parasë jashtë vendit.
“Nuk është vetëm mielli apo produktet ushqimore që i paguajnë qytetarët. Kjo vlen edhe për makineritë dhe shërbimet e tjera që hyjnë në procesin final të prodhimit. Përshkallëzimi i inflacionit nuk është i shoqëruar me një rritje proporcionale të të ardhurave, dhe kjo ndikon negativisht te ata me të ardhura të pamjaftueshme, duke shkaktuar një krizë dhe ulje të fuqisë blerëse,” vijoi ai.
Avdiaj ritheksoi rëndësinë e strukturës ekonomike të Kosovës dhe nevojën për masa konkrete për stabilizimin e ekonomisë, duke përfshirë uljen e varësisë nga importi dhe përmirësimin e politikave afatgjata për të mbështetur qytetarët në përballimin e krizave ekonomike.
Duke u bazuar në ASK-në, këto janë statistikat e inflacionit ndër vite.
1,3% ngritje e çmimeve / 2016
0,5% ngritja në 2017
2,9% të ngritjeve të çmimeve/2018
1,2% ngritje të çmimeve /2019
0.1% ngritja e çmimeve /2020
6,7% ka qenë inflacioni /2021
12,1% ngritje e çmimeve /2022
2.3% inflacion /2023
0,4% inflacioni /2024