​Shtrenjtohet nafta, investitorët kanë frikë nëse Ukraina do të bëjë një lëvizje të re

Ekonomi

​Shtrenjtohet nafta, investitorët kanë frikë nëse Ukraina do të bëjë një lëvizje të re

Më: 21 nëntor 2024 Në ora: 22:27
Ilustrim

Çmimi i naftës u rrit sërish sot në tregjet ndërkombëtare drejt 74 dollarëve, duke reflektuar frikën e investitorëve se Ukraina mund të sulmojë infrastrukturën energjetike të Rusisë dhe të ndërpresë furnizimet.

Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie ishte 1.04 dollarë më i lartë se në mbylljen e djeshme të tregtisë dhe arriti në 73.85 dollarë. Në tregun amerikan, një fuçi u tregtua me një çmim më të lartë prej 1.46 dollarësh, nga 70.22 dollarë.

Fokusi i tregut u zhvendos te furnizimi pasi Uashingtoni fundjavën e kaluar, sipas raporteve të mediave amerikane, i lejoi Ukrainës të përdorte raketa amerikane për të sulmuar territorin rus.

Moska paralajmëroi se një vendim i tillë, nëse konfirmohet zyrtarisht, do të përfaqësonte përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në konflikt.

Presidenti rus Vladimir Putin me dekret zyrtarizoi ndryshimin e doktrinës bërthamore, e cila zgjeron listën e kushteve për një përgjigje bërthamore ndaj një sulmi në territorin rus.

Ndërkohë, Ukraina hodhi raketa amerikane ATACMS dhe ato britanik Storm Shadow në territorin rus, sipas raportimeve të mediave.

Të mërkurën mbrëma, çmimet e naftës ranë lehtë pasi investitorët ishin të preokupuar nga rritja e rezervave të benzinës në SHBA javën e kaluar, me 2.1 milionë fuçi, sipas të dhënave nga Departamenti i Energjisë. U rritën edhe rezervat e naftës, me një masë modeste prej 545 mijë fuçi.

Sot në mëngjes, vëmendja u kthye në njoftimin e Forcave Ajrore të Ukrainës për sulmin rus me një raketë balistike ndërkontinentale.

“Kur bëhet fjalë për naftën, ekziston rreziku që Ukraina të zgjedhë infrastrukturën energjetike ruse si objektiv dhe është një pyetje e hapur se si Rusia do t'i përgjigjet këtyre sulmeve”, shkruajnë në një shënim analistët e ING.

Prodhuesit e mëdhenj mund të shtyjnë edhe një herë rritjen e prodhimit për shkak të kërkesës së dobët, thanë burime pranë Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe një grup aleatësh të saj, përfshirë Rusinë.

OPEC+ prodhon afërsisht gjysmën e naftës botërore dhe sipas planeve aktuale, në fillim të vitit të ardhshëm duhet të rrisë furnizimin me 180 mijë fuçi në ditë. Deri më tani afatin e kanë shtyrë dy herë, nga një muaj. Shqetësimet për furnizimin nga Rusia dhe masat e paralajmëruara kineze e shtynë atë në plan të dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat