​PDK akuzon Qeverinë Kurti për stagnim ekonomik dhe investime të ulëta

Ekonomi

​PDK akuzon Qeverinë Kurti për stagnim ekonomik dhe investime të ulëta

Më: 23 nëntor 2024 Në ora: 10:52
Arben Mustafa

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) konsideron se Qeveria aktuale ka stagnuar pothuajse në çdo sektor të ekonomisë në Kosovë. Rritja e madhe e çmimeve tek produktet, rënia e investimeve publike, gjendja e rëndë e të bërit biznes, rënia e investimeve në sektorin privat, janë vetëm disa nga faktorët që e karakterizojnë qeverinë aktuale. Kështu thotë, Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili thekson se edhe rritja e pagave nga janari është vendim sipas tij, puro elektoral nga Qeveria Kurti.

Megjithatë, koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa thotë se me ardhjen e PDK-së në qeveri, qytetarëve të këtij vendi do t’iu kthehet mirëqenia që e meritojnë.

Mustafa në një intervistë për KosovaPress, vendimin e qeverisë për rritjen e pagave nga janari e quan vendim puro elektoral, e po ashtu thekson se rritja prej 55 euro nuk është serioze, derisa nënvizon se me PDK-në pagat në sektorin publik do të rriten për 50 për qind.

“Ky është një vendim puro elektoral. Rritja e pagave pikë së pari është vendim elektoral, për shkak se qeveria nuk e ka paraparë në këtë periudhë të rishikojë pagat bazuar në ligjin e buxhetit, po ashtu bazuar në ligjin e pagave për sektorin publik. Por, në këtë periudhë duke parë që po hyn në zgjedhje me dështime të shumta në çdo aspekt qeverisjes i është kthyer temës së pagave për t’u munduar sado pak të ndryshojë perceptimin e publikut për këtë mandat qeverisës. Dhe rritja prej 55 euro nuk është serioze, sfidat me të cilët ballafaqohen qytetarët e Kosovës për shkak të kostos së rritur të jetesës, kërkojnë një rritje shumë më të madhe të pagës se 55 euro nëse dëshirojmë të përmirësojmë qytetarit aftësinë paguese dhe standardin e jetesës...Kjo rritje prej 55 euro është një vendim puro elektoral, por në asnjë mënyrë nuk i përgjigjet nevojave që kanë qytetarët e Kosovës”, thotë Mustafa.

Ai derisa ka numëruar dështimet e Qeverisë Kurti, shton se gjatë këtij mandati qeverisës Kosova ka pasur nivelin më të ulët ndonjëherë të investimeve publike.

“Ky mandat qeverisës është karakterizuar me një stagnim të theksuar pothuajse në çdo aspekt të ekonomisë së Kosovës. Duke u nisur fillimisht nga rritja e madhe e çmimeve që kanë ndodhur, përderisa të hyrat e qytetarëve kanë mbetur në nivel pothuajse të pandryshuar, që d.m.th se çdo familje kosovare gjatë këtyre katër viteve është varfëruar në krahasim me periudhat paraprake...Investimet publike, gjatë këtij mandati qeverisës Kosova ka pasur nivelin më të ulët ndonjëherë të investimeve publike, kapitale...”, thotë Mustafa.

Ai derisa flet për prodhimin vendor, akuzon qeverinë aktuale për politika jo të mira për t’i ndihmuar bizneset.

“E tërë kjo situatë rrjedh nga niveli shumë i ulët i prodhimit vendor. Rritja ekonomike mesatare prej rreth 3.4 për qind tregon për sa është rritur prodhimi në Kosovë. Prodhimi në Kosovë nuk mund të rritet pa investime në sektorin privat. Ndërsa investimet e sektorit privat gjatë këtij mandati qeverisës kanë shënuar rënie të vazhdueshme. Politika publike e kësaj qeverie kryesisht është bazuar në transferin e kohë pas kohësh të parave nga 50-100 euro tek qytetarët, por, nuk është mbështetur në asnjë mënyrë (mënyrë substanciale) sektori privat për të rritur aftësinë për të prodhuar mallra dhe shërbime brenda vendit dhe pa një prodhim më të madh nuk mund të kemi as zvogëlim të importit e as rritje të eksportit... Kemi një situatë ku sektori privat në Kosovë nuk ndjehet i sigurt ka paparashikueshmeri për sa i përket kushteve të të bërit biznes në Kosovë, e po ashtu i ndihmon çfarëdo mbështetje e rëndësishme nga ana e Qeverisë (kjo pjese është në fillim pothuajse montazhe)”, thotë Mustafa.

Në anën tjetër, derisa flet për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm, Mustafa thotë se PDK së bashku me kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza ka përgatitur një program shumë praktik, që i përgjigjet në mënyrë reale sfidat me të cilat ballafaqohet vendi dhe qytetari.

“PDK së bashku me kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza ka përgatitur një program shumë praktik, që i përgjigjet në mënyrë reale sfidat me të cilat ballafaqohet vendi dhe qytetari. Programi i PDK-së bazohet në pesë qëllime kryesore që synojmë t’i arrijmë gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës. E para është zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, një jetë më e mirë për secilin qytetar dhe familje të Kosovës, arsim që do t’i bëjë nxënësit dhe studentët tanë të gatshëm për sfidat e së ardhmes. Qëllimi tjetër është shërbimi shëndetësor në pacientin në qendër, cilësor afër pacientit, ku nuk ka nevojë qytetari jonë të bredh anekënd Kosovës dhe vendeve tjera për të siguruar një shërbim shëndetësorë, dhe qëllimi pestë është një Kosovë e fortë, e sigurte dhe e integruar”, nënvizon Mustafa.

Ai rëndit disa nga veprimet që do t’i ndërmerr PDK për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe vendit.

“Me Bedri Hamza kryeministër, pagat e sektorit publik do të rriten për 50 për qind. Punëtori i Kosovës sot ka nevojë për një rritje substanciale të pagës për të kapërcyer nga kjo gjendje në një nivel tjetër të mirëqenies. Qytetari dhe punëtori i Kosovës nuk duhet të mësohet duke jetuar i varfër në këtë rritje të madhe të çmimeve që ka ndodhur...Me ne pensioni minimal në Kosovë do të jetë 200 euro, ndërsa për të gjitha kategoritë kontributdhënese të pensionistëve, pensionet do të rriten në 30 për qind. Po ashtu do të rriten përftimet edhe për gjitha kategoritë e dala nga lufta, dhe kategoritë tjera të pensionistëve, pranueseve të ndihmave sociale me 50 për qind. Pra, kemi një program që do ta zhvendos standardin e jetesës në Kosovë, aty ku e meriton qytetari i Kosovës. Paga mesatare në Kosovë nuk duhet të jetë më e ultë në rajon, duhet të jetë të paktën aty ku është paga mesatare në vendet tjera të rajonit”, shton Mustafa.

Ai ka vlerësuar po ashtu se rritja e deficitit tregtar është një dështim tjetër i kësaj qeverie, derisa potencon se të hyrat në vendin tonë po shpenzohen për të blerë mallra që vijnë nga jashtë.

comment1 koment
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat