Nënshkrimi i marrëveshjes me kompaninë turke nga ana e Qeverisë së Kosovës për funksionalizimin e fabrikës së municioneve në Kosovë, do të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit, ka vlerësuar ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Në një intervistë për eo, Gërxhaliu thekson se Kosova ka një traditë nga e kaluara në fushën e industrisë dhe sidomos atë të armatimit.
Por, ai shpreson që ky projekt të jetësohet dhe të mos mbes vetëm kampanjë zgjedhore.
“Nuk dua të besoj që një projekt i tillë do të mbetet vetëm nën ombrellën e kampanjës zgjedhore por do të shndërrohet në realitet. Në rend të dytë Kosova është e vonuar për sa i përket prodhimit të municionit dhe armatimit, sepse ka trashëguar një traditë nga e kaluara ku ka pasur industri të shumta që kanë qenë të lidhura në mënyrë direkte apo indirekte me këtë veprimtari. Vetë fakti që sot Trepça i posedon në veti 3/4 e elementeve kimike dhe të metaleve që gjinden, besoj që Kosovës i jep një përparësi të pa kontestuar strategjike në këtë fushë. Duhet të analizohet edhe në forcimin e partneritetit me vendet Evropiane në veçanti me SHBA dhe NATO”, tha ai për eo.
Gërxhaliu thotë se hapja e kësaj fabrike fuqizon dhe përshpejton synimet e Kosovës që të bëhet pjesë e familjes evropiane dhe anëtare në NATO.
“Ky është një hap i vonuar, por i qëlluar e që duhet të zgjerohet që të mos kemi partner vetëm nga Turqia por edhe nga vendet e tjera. Synimet e Kosovës janë të jemi në familjen Evropiane, anëtare në NATO dhe besoj një gjë e tillë do ta përshpejtoj siç e kanë bërë edhe vendet e rajonit. Ekonomikisht do të ketë rendësi të shumta, jo vetëm sa i përket punësimit po një ndër pikat me kryesore është përmirësimi i bilancit të pagesave dhe në këtë drejtim çdo tentativë për ta politizuar dhe për ta kontestuar këtë projekt nuk i bënë ndwr Kosovës dhe ardhmërisë” , tha Gërxhaliu.