Në mbledhjen konstituive të Odës së Inxhinierëve të Kosovës (OIK), e cila është mbajtur për herë të parë, janë licencuar 910 inxhinierë. Ky organ i ri do të jetë i pavarur dhe do të kontribuojë në zhvillimin e profesionit të inxhinierisë, ruajtjen e sigurisë publike dhe mbrojtjen e mjedisit. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, këtë hapë e ka quajtur të rëndësishëm duke thënë se zbatimi i ligjit nuk mund të realizohet pa licencën përkatëse.
Për herë të parë është mbajtur mbledhja konstituive e Odës së Inxhinierëve të Kosovës, Duke qenë institucion i ri, Oda e Inxhinierëve do veprojë si e pavarur për mbrojtjen dhe zhvillimin e profesionit të inxhinierit, ruajtjen e shëndetit, sigurisë publike dhe mbrojtjen e mjedisit.
Këtu ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, e ka quajtur si hapë tejet të rëndësishëm këtë organizimi në të cilin janë licencuar 910 inxhinierë. Aliu ka deklaruar se nuk mund të ketë asnjëherë zbatim të mirëfilltë të ligjit pa pasur licenca.
“Të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm dhe e kemi prit me kohën dhe jemi munduar të sigurojmë sa më shpejtë licencimi dhe të arrijmë të ndërtojmë një sistem të mirëfilltë ashtu siç e kanë të gjitha vendet e botës. Kemi qenë të hendikepuar. Nuk mund të ketë asnjëherë zbatim të mirëfilltë të ligjit pa pasur licenca. Licenca është e domosdoshme pasi diplomën është ajo që ti e merr dhe do ta kesh përherë. Ndërsa, licencën është ajo që ti duhet ta bësh në vazhdimësi ta azhurnosh në mënyrë që të jesh në linjë përherë me nivelin e zbatimit të ligjeve në fushën e ndërtimeve dhe të gjithë arritjeve shkencore që bëhen”, tha ai.
Venera Aqifi, këshilltare për Qeverisje të mirë në GIZ, tha se themelimi i Odës së Inxhinierëve do të përmirësoj jetën e qytetarëve, por edhe profesionistë në fushën e inxhinierisë.
“Ky është një moment shumë i rëndësishme për forcimin e strukturave të inxhinierisë në Kosovë por gjithashtu edhe për sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme për zhvillimin e sektorit të inxhinierisë. Themelimi i Odës së Inxhinierëve si hap i parë në këtë proces po bësoj që do të luaj një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimeve publike duke përmirësuar shërbimet publike por gjithashtu duke ndikuar edhe në modernizmin e shërbimeve që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve por edhe profesionistë në fushën e inxhinierisë”, theksoi ajo.
Udhëheqës i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim në Ministrinë e Mjedisit, Servet Spahiu, theksoi se ideja për të formuar Odën e inxhinierëve të fushës daton para më shumë se 20 vjetësh.
“Roli i Odën së Inxhiniereve është që të mbështes dhe zhvilloj profesionin e inxhinierisë duke siguruar standarde të larta etike dhe profesionale si dhe duke kontribuar në rritjen e cilësisë dhe njohurisë ënë fushën e inxhinierisë”, tha ai
Kryesues i Komisionit Ministror për Themelimin e Odes së Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit, Xhemail Metolli ka thënë se me ligj themelohen dy oda.
“Siç e dini me ligj themelohen dy oda, Oda e Arkitektëve dhe Oda e inxhinierëve ne fushën e ndërtimit si dy oda të pavarura të cilat ushtrojnë kompetenca të caktuara publike”, theksoi ai.
Ndërkohë, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu ka bërë shpërndarjen e licencave për inxhinierët.