Banka Qendrore e Kosovës (BQK) është vlerësuar lartë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pas përfundimit të Konsultimeve të Nenit IV për vitin 2024 dhe Rishikimit të Tretë të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe atë për Qëndrueshmëri (RSF).
Raporti i stafit të FMN-së, i udhëhequr nga David Amaglobeli – shefi i misionit për Kosovën, ka mirëpritur progresin e bërë nga BQK në avancimin e kuadrit ligjor dhe mbikëqyrës si dhe reformat e ndërmarra nga BQK për ruajtjen e stabilitetit financiar.
“Vlerësimi pozitiv i FMN-së thekson qasjen proaktive të BQK-së në forcimin e qeverisjes, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë financiare, pagesave digjitale, si dhe reformat e ndërmarra për harmonizim me standardet dhe praktikat e zbatuara në Bashkimin Evropian”.
“Për më tepër, FMN vlerësoi progresin e BQK-së në avancimin e kuadrit ligjor përmes Ligjit të ri për Bankat, i cili ka vendosur bazën për praktika moderne rregullatore dhe mbikëqyrëse, si dhe Ligjit për Shërbimet e Pagesave, përveç forcimit dhe avancimit të mbikëqyrjes bankare. Gjithashtu, thekson se modernizimi i procesit të mbikëqyrjes bankare, përfshirë Procesin e Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), është në përputhje me kuadrin mbikëqyrës të zbatuar nga Autoritetet Mbikëqyrëse Evropiane”, thuhet në një njoftim të BQK-së.
Sipas raportit, sektori bankar mbetet i shëndetshëm – fitimprurës dhe mirë i kapitalizuar, me nivele të ulëta të kredive joperformuese dhe potencial të konsiderueshëm për zgjerim.
“Largimi i tarifave për llogaritë bazike bankare dhe masat administrative për të luftuar informalitetin kanë kontribuar në rritjen qasjen në financa dhe kredive për ekonomitë familjare”.
“Raporti thekson se Programi ka performuar mirë, të gjitha kriteret e performancës kuantitative dhe treguesit kyç për rishikimin e tretë të Marrëveshjes Stand-By janë përmbushur”.
Ky vlerësim vjen pasi një ekip i misionit të FMN-së qëndroi në Kosovë nga data 28 tetor deri më 11 nëntor.