Ky vit pritet të mbyllet me rritje ekonomike prej 4.3 për qind. Derisa në vitet 2025 dhe 2026 parashikohet rritje ekonomike prej 4.2 për qind, përkatësisht 4.4 për qind mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe eksporti. Kështu ka bërë të ditur, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.
Ismaili në një konferencë për media derisa ka prezantuar aktivitet e këtij institucioni për vitin 2024 ka theksuar se ka stabilizim të inflacionit, duke shtuar se shkalla mesatare ka arritur 1.7 për qind derisa deri në fund të vitit pritet që të mbyllet me 1.6 për qind.
Po ashtu ai nënvizoi se remitencat e pranuara deri në fund të vitit pritet të arrijnë vlerën prej 1.36 miliard euro duke shënuar rritje vjetore prej 1.9 për qind.
“Sa i përket aktivitetit ekonomik ose makro-ekonomik ne presim që viti 2024 të mbyllet me një rritje prej 4.3 për qind. Nivelin e rritjes prej 4.2 për qind deri ne 4.4 e parashohim të ndodh në vitet 2025 dhe 2026. Aktiviteti ekonomik deri në shtator ka arritur 4.6 për qind rritje, e cila është sipas të dhënave të ASK-së, sigurisht zhvillimet gjeo-politike dhe pasiguritë tjera ekonomike janë ata faktorë që ne do ti marrim në konsideratë që të bëjmë ri-shikimin e projeksioneve tona. Sa i përket inflacionit, shkalla mesatare e inflacionit në Kosovë arriti në nëntor në 1.7 për qind. Inflacioni bazë u ngadalësua në mesatare prej 3.3 për qind nga 4.4 për qind. Pritjet tona janë që inflacioni të mbyllet me 1.6 për qind dhe ngjashëm presim që të jetë edhe në vitin 2025... Remitencat arritën vlerën deri në tetor prej 1.1 miliardë euro dhe ne presim që ashtu të mbyllet me rreth 1.3 miliardë euro viti”, tha Ismaili.
Ndërsa, tha se gjithsej kreditë në nëntor të këtij viti kanë arritur shumën prej 5.668 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 768.9 milionë euro ose 15.7 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Ai shtoi se depozitat vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit të kredive.
“Sa i përket kredive, shihet një normë rritjeje, totali prej vitit ka mbërri rreth 5.7 miliardë me një rritje prej 15.7 për qind e cila është një rritje e kënaqshme që tregon se bankat po e mbështesin ekonominë. Në depozita vazhdon rritja, pra depozitat kanë mbërri rreth 6.6 miliardë euro me një rritje prej 11.9 ose rreth 12 për qind. Kreditë janë rritur më shpejt sesa depozitat, më shumë se depozitat me përqindje rritjeje që i bie që bankat kanë vazhduar të jenë më “dorë shlirë” në kuptimin e kreditimit. Gjithsej depozitat në nëntor të këtij viti kanë arritur në 6.586 miliarda euro, duke shënuar rritje prej 448.5 milionë euro ose 7.3 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Kjo rritje i atribuohet rritjes së normave të interesit në depozita dhe konkurrenca me intensive midis bankave për tërheqje të depozitueseve", tha ai.
Ismaili tregoi se edhe norma e interesit është zvogëluar gjatë këtij viti në dallim prej vitit 2023. Sipas tij norma mesatare e interesit në kredi në sektorin bankar në nëntor 2024 është 6.02 për qind, ndërsa në dhjetor 2023 kjo normë ishte 6.35 për qind. Derisa tha se norma mesatare e interesit më depozita në sektorin bankar në nëntor 2024 ishte 2.87.
Me këtë rast BQK-ja ka ndarë edhe çmimin për ekonomistë të rinj, ku vendin e parë e ka marrë Valmir Zogaj, për studimin me titull: "Inovacionet Teknologjike Financiare dhe Ndikimi i Tyre në Qasjen në Financa dhe Gjithë përfshirjen Financiare-Rast Studimi për Kosovën”.