Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka nënshkruar sot marrëveshje me katër komunat të cilat do të përfitojnë për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në 13 objekte publike.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar që kjo marrëveshje kap shifrën 3.8 milionë euro, e financuar krejtësisht nga Qeveria e Kosovës, raporton EkonomiaOnline, përcjell Klan Kosova.
Ajo shtoi që masat e efiçiencës kanë ulur konsumin e energjisë, madje nga këto masa sipas saj, kursimi i energjisë ka arritur në 80 për qind.
Lipjani, Shtimja, Vitia, Podujeva, Istogu dhe Suhareka janë komunat përfituese.
“Kjo është një vazhdimësi e projekteve që kemi pasur, deri më tani kemi realizuar 125 projekte të efiçiencës të energjisë ku kursimi i energjisë është deri në 80 për qind. Jam e lumtur që këto lloj projekte po i vazhdojmë për dallim të rundeve të kaluara të ndërtesave. Këtë radhë ndërtesat janë të financuara nga Qeveria e Kosovës, komplet kontrata e tyre. Deri më tani kemi pasur edhe masa të tjera të efiçiencës që nga subvencionimi i efiçiencës elektro shtëpiake”, ka thënë Rizvanolli.
“Familjet përfituese të pajisjeve efiçiente kanë ulur konsumin e energjisë për 19 për qind. Nuk ka asnjë dyshim që masat e efiçiencës kanë ulur konsumin e energjisë, vlerësojmë që familjet kanë kursyer 27 milionë kilovat në orë. Ky investim që po bëhet sot është në vlerë 3.8 milionë euro i financuar nga Qeveria e Kosovës përmes kësaj marrëveshje po i shtojmë projekte të reja. Në Istog kemi realizuar 6 ndërtesa publike dhe dy shkolla në vlerë 820 mijë euro”.
Në anën tjetër, Driton Hetemi, drejtor menaxhues i FKKE-së, deklaroi që në sektorin rezidencial, përmes grantit nga Bashkimi Evropian, janë subvencionuar mbi 3000 familje për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë e tyre.
“Përfituese nga këto projekte janë gjashtë komuna, nga të cilat Suhareka dhe Istogu kanë nënshkruar gjatë javës se kaluar për 4 projekte, kurse Podujeva, Lipjani, Vitia dhe Shtimja do të nënshkruajnë sot së bashku me ne në këtë ceremoni, për 13 projekte të reja. Rikujtojmë se për sa i përket projekteve në sektorin publik gjatë vitit 2023 dhe 2024 FKEE ka përfunduar 86 projekte të ngjashme, kryesisht shkolla, salla sportive, qendra të kulturës dhe objekte të tjera administrative, të financuara nga Qeveria e RKS, Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian”, ka thënë ai.
“Në anën tjetër, në sektorin rezidencial FKEE përmes grantit nga Bashkimi Evropian ka subvencionuar mbi 3000 familje për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë e tyre. Kurse, qe nga ky Dhjetor, kemi filluar punimet në 28 ndërtesa sociale shumë-banesore, në të cilat do të implementohen masat e efiçiencës së energjisë dhe nga të cilat do të përfitojnë rreth 785 familje në 13 komuna të ndryshme”.