Dogana e Kosovës do të përmbyll vitin 2024 me të hyra prej mbi 1 miliard e 823 milionë euro për buxhetin e Republikës së Kosovës, duke tejkaluar vitin paraprak me mbi 150 milionë euro apo 9% si dhe projeksionin vjetor me 50 milionë euro ose 3% më shumë.
Sipas Doganës, rritja e të hyrave është arritur pavarësisht zgjerimit të gamës së produkteve të liruara nga taksat doganore, si makineritë, lëndët e para dhe burimet e energjisë, në kuadër të skemave mbështetëse për prodhuesit vendor, si dhe pjesë së thelluar produkteve për te cilat zbatohet marrëveshjet e tregtisë së lirë. Efekti në këto kategori sivjet ka arritur në 367 milionë euro, një rritje prej 10% apo 34 milion euro me shumë krahasuar me vitin e kaluar.
“Përkundër këtyre lirimeve, Dogana vazhdoi të tejkalojë mbi dyfish trendin e rritjes ekonomike të vendit, duke shfaqur një efikasitet të qëndrueshëm në luftimin e ekonomisë joformale dhe zbatimin e reformave strategjike. Përmirësime operacionale dhe shërbime të avancuara... Dogana e Kosovës ka proceduar gjithsej 536,212 deklarata doganore, një rritje prej 10.7% krahasuar me vitin 2023. Porti i Durrësit shënoi një rritje të konsiderueshme, duke arritur 72,956 deklarata ose 17% më shumë. 70% e dërgesave u proceduan në terminalet shtetërore, ku këto dy masa së bashku kanë kontribuar në kursimin operativ të mbi 20 milionë eurove për ekonominë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Për planin e së ardhmes për doganën mbetet ngritja e kapaciteteve përmes programit për lehtësim të transportit dhe Tregtisë (TTFP) ku me inicimin e Zyrës së Kryeministrit, institucionet relevante me tregtinë dhe transportin janë angazhuar me Bankën Botërore për të avancuar kapacitetet, Dogana e Kosovës me sukses ka negociuar 5 projekte që kapin koston prej 17.25 milion EUR e te cilat përshijnë: Furnizimin me skanerë, Automatizimin e plote te proceseve kufitare, Ndërtimin e ndërtesës së Terminalit në Vermicë, me qëllim të vendosjes në terminal të përbashkët me autoritetet e Shqipërisë, Dritaren e Vetme Kombëtare (platformë për përfshirjen e të gjitha institucioneve në një dritare të vetme).
Në fund thuhet se Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar për të kontribuar në rritjen ekonomike dhe integrimin e vendit në tregjet ndërkombëtare përmes transparencës, profesionalizmit dhe bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat dhe partnerët ndërkombëtarë.