Është koha kur frekuentimi i dyqaneve për artikuj ushqimor rritet.
Por sikurse nevoja, në disa dyqane janë rritur edhe çmimet.
Ndonëse refuzojnë që ankesat e tyre t’i thonë para publikut, disa nga qytetarët nuk hezituan të na i tregojnë faturat.
Njërit nga ta, artikujt ushqimor që nuk i zënë as gjysmën e karrocës, çmimi i ka arritur deri në 150 euro.
E të tjerë që në Kosovë kalojnë vetëm një periudhë të vitit, habiten se si banorët këtu ia dalin financiarisht.
”Janë bukur të shtrenjta, për ne qa jetojmë jashtë nuk është kumedit çka por për ata që jetojnë këtu, tepër e shtrenjtë është. Mishi është tejet i shtrenjtë, gjërat e ëmbla. Kanë pas mundësi të paktën këtë sezonë do lirime t’i bëjnë”, ka thënë Hakif Gashi, qytetar.
Kilogrami i mishit të tymosur arrin deri në 20 euro e paketimi i frutave të thata, deri mbi 3 euro.
Shtrejtime janë vënë re edhe në tregun e gjelbërt.
”Tri -katër ditë më parë këto çmime Kanë qenë më lirë, tash po them 30 për qind janë ngritur”, ka thënë Hakif Gashi, qytetar.
E sipas ekonomistëve, i nevojshëm konsiderohet inspektimi i marketeve nga Inspektorati.
”Është koha që inspektorati i tregut të paktën në kohën e festave të fundvitit të jenë më aktiv sepse vërtet përdoren metoda të ndryshme për ti joshë qytetarët duke ju ofruar kinse lirime apo çmime të ndryshme”, ka thënë Safet Gërxhaliu, ekonomist.
Rritje e çmimeve të artikujve ushqimor u bë edhe vitin e kaluar, në po të njëjtën kohë të vitit.