Në katër vitet e qeverisjes së Albin Kurtit, një numër i madh premtimesh që lidhen me sektorin e ekonomisë kanë mbetur të pa realizuara. Krijimi i Bankës Zhvillimore, shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), dhe ai për banim të përballueshëm për 4 mijë familje, janë disa nga to që nuk u bën realitet përveç Ligjit për Fondin Sovran i cili është në Gjykatën Kushtetuese.
Përkundër lëvdatave të pushtetit se ka pasur progres ekonomik në këtë mandat, nga opozita dhe njohës të ekonomisë thonë se qeveria ka dështuar në zhvillimin e sektorit të ekonomisë.
Në prezantimin e plotë të programit qeverisës (2021-2025), kryeministri Albin Kurti pati theksuar në një seancë parlamentare me të marrë mandatin qeverisës se “Programi që keni para jush është reflektim i premtimeve jo vetëm të fushatës elektorale por edhe të angazhimeve për të ardhmen,” duke shtuar se, po ashtu do të shuajnë Agjencinë Kosovare për Privatizim, porse premtime këto që nuk u mbajtën.
Kurti: Programi është reflektim i premtimeve jo vetëm të fushatës elektorale por i premtimeve ndaj së ardhmes
“Programi që keni para jush është reflektim i premtimeve jo vetëm të fushatës elektorale por i premtimeve ndaj së ardhmes...11:40 Kurse nëpërmjet programit “120×120” dhe “150×150” sidomos për çiftet e reja do të përfitohen banesa me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove në muaj, për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120 muaj, përkatësisht 150 muaj...Pasuria jonë do të mbrohet përmes krijimit të Fondit Sovran, i cili do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për të mundësuar investime nga jashtë dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit, dhe sidomos sjellje të investimeve për zhvillim dhe rritje të vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës...Në kuadër të mbështetjes së bizneseve, gjithashtu do ta themelojmë edhe Bankën Zhvillimore të Kosovës...Agjencinë Kosovare për Privatizim do ta shuajmë dhe do ta transferojmë në agjenci brenda qeverisë e do të krijojmë Agjencinë Zhvillimore për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura”, kishte thënë Kurti para tri viteve.
Derisa nga opozita thonë se qeveria ka dështuar të realizojë investime kapitale dhe projekte të rëndësishme.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala kritikon qeverinë, duke theksuar se gjatë këtij mandati qeveria ka dështuar të realizojë investime kapitale dhe projekte të rëndësishme. Ai shton se ndërmarrjet publike si Trepça dhe KEK kanë vazhduar të kenë performancë të dobët, dhe se përpjekjet për të mbyllur AKP-në nuk kanë pasur asnjë rezultat konkret.
Shala: Kjo qeveri ka dështuar në gjithë dimensionin e vet ekonomik
Video:
“E vërteta është se qeveria tashmë është në fund të mandatit dhe për fat të keq të Kosovës nuk kemi rezultate me të cilat do të duhej të krenoheshim si shoqëri e qeveri. Ka dështuar në gjithë dimensionin e vet ekonomik, ka dështuar në realizimin e investimeve kapitale, ka dështuar në realizimin e projekteve të veçanta, në thithjen e investitorëve të huaj, në implementimin e investitorëve strategjik, ka dështuar në rivitalizimin e ndërmarrjes Trepça, ka dështuar në mbylljen e AKP-së që kishte projekt për mbylljen e saj, ka dështuar ën krijimin e Fondit Sovran”, nënvizon Shala.
Në anën tjetër edhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti përmend disa nga premtimet që janë bërë nga qeveria aktuale, por që sipas tij nuk janë realizuar.
Ndërsa, shprehet se e njëjta ka dështuar edhe në menaxhimin e ndërmarrjeve publike.
Hoti: Janë ndërmarrjet publike, një ose dy prej tyre mund të kenë një përmirësim, në gjitha tjerat është përkeqësuar gjendja
Video:
“Bankën Zhvillimore dhe Fondin Sovran, edhe atëherë kur janë diskutuar ne i kemi pas dilemat tona. Asnjëra prej këtyre dyjave, as që ka nis të realizohet, sepse konceptualisht nuk është zhvilluar së paku si koncept se si do të funksionojë, sepse ne kemi ekonomi të tregut dhe duhet të marrim parasysh funksionimin e ekonomisë në kushtet e një tregu të hapur dhe është vështirë të futen koncepte që nuk janë kontabile me këtë qasje, me këto parime të ekonomisë së hapur. Madje, është problemi tek Agjencioni i Privatizimit, i cili është premtuar se do të mbyllet si agjencion, ndërkohë që nuk ka ndodhë asnjë veprim. Mandej, janë ndërmarrjet publike, ku janë kritikuar qeveritë e kaluara se po bëjnë gjakderdhje financiare duke i ndihmuar ndërmarrjet publike, performanca e këtyre ndërmarrjeve gati, pa përjashtim një ose dy prej tyre mund të kenë një përmirësim të caktuar në gjitha tjerat është përkeqësuar gjendja”, thotë Hoti.
Në anën tjetër edhe njohës të çështjeve të ekonomisë kritikojnë Qeverinë Kurti për mos zhvillim ekonomik të vendit.
Ndërsa, edhe njohësi i çështjeve për ekonomi, Mustafë Kadrijaj thotë se kjo qeveri ka dështuar të adresojë nevojat e zhvillimit ekonomik dhe investimeve kapitale.
Kadrijaj: Kjo qeveri nuk ka pas interesim tek pjesa e investimeve dhe zhvillimit ekonomik
“Nuk ka pas interesim tek pjesa e investimeve dhe zhvillimit ekonomik, kjo qeveri erdhi me prizmin që me politika sociale dhe këta po janë të vetëkënaqur me këtë rrugë, por kur jemi tek interesi i shtetit dhe ekonomisë së vendit tani po shihet se për katër vite vetëm ka grumbulluar buxhet por aspak nuk ka pasur interesim tek pjesa e investimeve kapitale, dhe ato që ka filluar kanë mbetur në gjysmë apo kanë dështuar”, thotë Kadrijaj.
Ndërkaq, edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Blendi Hasaj thotë se kjo qeveri është identifikuar me atë qe e ka pas një theks më të veçantë tek këto skemat sociale.
Hasaj: Kjo qeveri është identifikuar me atë qe e ka pas një theks më të veçantë tek këto skemat sociale
“Kjo qeveri është identifikuar me atë qe e ka pas një theks më të veçantë tek këto skemat sociale, veçmas tek disa skema që kanë paraparë rritjen e përkrahjes për gratë, kjo lidhet edhe orientimin e tyre edhe ideologjik por edhe si parti që janë pak më të majtë edhe normalisht mendojmë se duhet tëjetë një rrjet”, thotë Hasaj.
Ndërsa, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka folur për të arriturat e kësaj Qeverie. Ajo për KosovaPress ka përmendur rritjen ekonomike dhe raportet tregtare për eksport dhe import.
Hajdari: Rritja ekonomike mesatare 6 për qind gjatë këtij mandati qeverisës
“Gjatë këtij mandati qeverisës si rritje kryesore në Republikën e Kosovës shihet rritja ekonomike, po ashtu edhe treguesit demografik që janë treguar dukshëm në rritje gjatë këtij mandati qeverisës. Rritja ekonomike mesatare 6 për qind gjatë këtij mandati qeverisës, kemi dyfishim të eksportit dhe përmirësim të bilancit tregtar nga raporti eksport-import nga një me nëntë me një me gjashtë. Kemi dyfishim të investimeve të huaja direkte gjatë këtij mandati", tha Hajdari.
Qeveria nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti ka marrë detyrën më 23 mars të vitit 2021.
Ndryshe, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2025. /kp