Themelohet Oda Ekonomike Shqiptare

Ekonomi

Themelohet Oda Ekonomike Shqiptare

Më: 2 janar 2025 Në ora: 21:47
Hyzer Gashi

Është themeluar Oda Ekonomike Shqiptare, me Hyzer Gashin në krye, një iniciativë që synon të fuqizojë bashkëpunimin ekonomik mes trevave shqiptare dhe të krijojë një rrjet të fortë për ndarjen e eksperiencave dhe ideve ndërmjet bizneseve.

Me krijimin e kësaj ode, ne vendosim themelet e një shtëpie të përbashkët ku zëri i bizneseve tona bashkohet për të ndarë eksperienca, ide dhe mundësi bashkëpunimi që shkojnë përtej kufijve gjeografikë,” thuhet në njoftimin zyrtar të kësaj organizate.

Kjo odë synon të frymëzojë brezat e rinj për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit, duke nënvizuar rëndësinë e shfrytëzimit të burimeve dhe mundësive që Shqipëria dhe trevat shqiptare ofrojnë.

“Është koha të kuptojmë se diamantin e kemi poshtë këmbëve tona – bukuritë dhe mundësitë e pafundme që vendi ynë ofron janë të mjaftueshme për të ndërtuar një jetë të begatë dhe të qëndrueshme,” theksohet në njoftim.

Në vend të migrimit për mundësi në vendet e huaja, Oda inkurajon shqiptarët të eksplorojnë botën si turistë dhe të rikthehen për të investuar dhe kontribuar në zhvillimin lokal.

Platformë për zhvillim dhe inovacion

Oda Ekonomike Shqiptare do të jetë një platformë ku idetë, energjia dhe vizioni i bizneseve shqiptare do të bashkohen për të krijuar një ekonomi më të fortë dhe më të qëndrueshme. Ajo synon të jetë një simbol i unitetit dhe përparimit për të gjithë shqiptarët, duke ofruar një rrjet të fuqishëm për aktivizim dhe bashkëpunim.

Urime për këtë hap të madh dhe suksese të shumta përpara! Le të jetë kjo odë një simbol i unitetit dhe përparimit për të gjithë shqiptarët,” përfundon njoftimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat