Partia në pushtet vazhdimisht u krenua për rritje ekonomike në Kosovë.
Madje i pari i ekzekutivit, në fund të muajit dhjetor tha se kjo rritje shkon në mbi 6%.
“Kryesore e këtyre 4 viteve është rritja ekonomike e cila është 6.36% e BPV-së mesatarisht në këto katër vite, asnjëherë pa rënë nën 4% e cila është rritje reale pasi të hiqet inflacioni”, ka deklaruar Kurti.
Por me këtë nuk po pajtohen nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Nuk mund të jetë e vërtetë pasi gjatë tërë mandatit të Qeverisë Kurti nuk kemi pasur investime strategjike, nuk kemi shkallë të mirë të investimeve kapitale, nuk kemi pasur vende të reja të punës, kemi pasur lojëra me Super punën, por në realitet nuk kemi pasur investime. Shkalla reale e rritjes ekonomike shkon nga 2.8% deri ne 3%”, ka thënë deputeti i PDK-së, Ferat Shala për teve1.
Por pavarësisht kësaj, gjendja e bizneseve, sipas kryetarit të Aleancës Kosovare për Biznese, Agim Shahini nuk ishte më e mira e mundshme.
“Bizneset brenda Kosovës kanë pasur turbulencë, ku shënon një numër të lartë të bizneseve të shtuara këtë vit, por edhe numër i lartë i bizneseve që janë mbyllur dhe kjo ka ndikuar që në Kosovë të kemi ende iniciativa të shpirtit ndërmarrës, por mbetet Kosova një destinacion jo i pëlqyer për investitorët e huaj”, ka deklaruar ai.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu përmend faktorët që kanë ndikuar që Kosova të mos ketë progres në aspektin ekonomik.
“Mungesa e stabilitetit politik ka qenë një pikë e zezë për Kosovën sepse në këto rrethana ka qenë e pamundur të kemi investime të huaja. Plus kësaj shto faktin se kemi pagën më të ulët qoftë minimale, qoftë të mesme dhe pensionet me të ulta në Ballkanin Perëndimor, është shqetësuese në dimensionin social”, ka thënë ai.
Kujtojmë që në muajin tetor të vitit 2024, Kuvendi ka miratuar buxhetin prej 3.6 miliardë euro, buxhet ky i cili sipas kryeministrit Kurti përbën një rritje prej afër 9 për qind krahasuar me buxhetin e vitit paraprak.