Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Shasivar Haxhijaj premton angazhim për një ekonomi të qëndrueshme për vendin.
Haxhijaj ka shërbyer në shumë pozita kyçe, duke ofruar një kontribut të çmuar në ndihmën e zhvillimit të institucioneve të Kosovës pas luftës. Përmes programit të tij, ai synon të përmirësojë ekonominë, infrastrukturën dhe mirëqenien e kategorive të ndryshme shoqërore, duke përfshirë veteranët e luftës dhe familjet e dëshmorëve.
Juristi i diplomuar dhe me një përvojë të pasur në administratën shtetërore, në një intervistë për KosovaPress flet edhe për Qeverinë Kurti, për të cilën thotë se është më e dobëta në historinë e vendit. Derisa u shpreh se angazhimi i tij në Kuvendin e Kosovës do të jetë për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe për avancimin e interesave të qytetarëve të Kosovës.
Me një karrierë të begat, duke përfshirë angazhime në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe një kontribut në Komitetin Olimpik të Kosovës, Haxhijaj ka premtuar se do të përdorë këtë përvojë për të kontribuar në hartimin dhe implementimin e ligjeve që do të përmirësojnë çdo aspekt të jetës në Kosovë.
Haxhijaj: Do të jem një zë i fuqishëm për gjithë qytetarët e Kosovës, votoni numrin 52
“Kam pasur mundësinë t’i shërbej Kosovës në shumë pozita të ndryshme dhe kam fituar një përvojë të jashtëzakonshme profesionale. Këtë përvojë timen do ta barti edhe në Kuvendin e Kosovës, qoftë në hartimin e ligjeve, implementimin e tyre, implementimin e programit qeverisës dhe mbi të gjitha mbrojtjen e vlerave të luftës. Do të jem një zë i fuqishëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, për interesat e tyre, dhe fare nuk do të ndalem veç tek ata që unë marr votën prej tyre, por do të përfaqësoj të gjitha shtresat që jeta e qytetarit të jetë më e mira... PDK garon me numrin 131 dhe unë personalisht kam numrin 52 dhe ftoj qytetarët të mos harrojnë këtë numër”, thotë ai.
Haxhijaj thekson se PDK është angazhuar për reforma të brendshme dhe ka një listë kandidatësh të rinj dhe të ndryshëm, me një fokus të theksuar në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturë. Ndërsa, vlerëson se kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza është profesionist në gjitha aspektet për të çuar vendin përpara.
Haxhijaj: PDK prej që ka humbur zgjedhjet e ka marrë shumë seriozisht mesazhin e qytetarëve, është reformuar brenda strukturave të saj
“PDK prej që ka humbur zgjedhjet e ka marrë shumë seriozisht mesazhin e qytetarëve dhe është reformuar brenda strukturave të saj. Ky reformim ka reflektuar edhe në listën zgjedhore të PDK-së. Sot kemi një listë që është më e mira prej kandidatëve të PDK-së. Janë mbi 64 kandidatë të rinj që për herë të parë garojnë dhe e gjitha lista është e profileve të ndryshme, pothuajse secilit profil që i duhet Kosovës, dhe qytetarët kanë çfarë të zgjedhin. Bedri Hamza është kandidati më i mirë për shkak të kaluarës që ka si profesionist në fushën e ekonomisë. PDK është fokusuar që të ketë një program zhvillimor, i fokusuar tek ekonomia, infrastruktura, besojmë se për një mandat katërvjeçar e gjithë infrastruktura rrugore do të përfundojë me Bedri Hamzën... Menjëherë pas luftës është formuar PDK. Në kuadër të kësaj si projekt i përmbyllur ka qenë çlirimi i Kosovës, projekt tjetër i madh për Kosovën ka qenë shpallja e pavarësisë, ndërtimi i institucioneve. Nëse flasim për projektet kapitale të mëdha që janë bërë në Kosovë, ato kanë vulën e PDK-së”, nënvizon Haxhijaj.
Kritik shprehet për qeverinë aktuale. Sipas tij, vendi nën qeverisjen e Albin Kurtit ka ngecur në sektorë kyç si siguria, diplomacia, dhe ekonomia. Sipas tij, kjo qeveri ka dështuar në përmbushjen e projekteve kapitale dhe ka krijuar pasiguri për qytetarët e Kosovës.
Haxhijaj: Për herë të parë Kosova ka pas (qeverinë) më të dobëtën në historinë e saj
“Për herë të parë Kosova ka pasur (qeverinë) më të dobët në historinë e saj. Kjo qeveri ka ngecje pothuajse në secilin sektor. Nëse flasim për siguri, konsideroj se është një prej fushave që kjo qeveri ka dështuar, sepse siguria jonë sot është në gjendjen më kritike që kemi pas ndonjëherë prej pas luftës. Nëse flasim për diplomaci, politikë të jashtme, Kosova për katër vite nuk e ka pas asnjë njohje, jashtë kësaj për herë të parë Kosova është fut nën sanksione, e shumëçka tjetër. Pjesa ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik ka qenë një dështim total sepse asnjë projekt kapital thuajse nuk është përfunduar në Kosovë... Konsideroj se kësaj qevere i ka ardhur fundi, dhe i bëj ftesë edhe gjithë qytetarëve që më 9 shkurt të largojnë këtë qeveri, sepse është më e dobëta që ka pasur vendi”, potencon ai.
Për angazhimin e tij në Komitetin Olimpik të Kosovës, Haxhijaj thotë se ka luajtur një rol të rëndësishëm në pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, duke hapur mundësi për ndërkombëtarizimin e federatave sportive të Kosovës.
Haxhijaj: Me kontributin tim por edhe të bashkëpunëtorëve Komiteti Olimpik i Kosovës është pranuar në Komitetin Olimpik ndërkombëtar
“Njëra prej atyre fushave që i dua dhe i kam përzemër është sporti. Dhe në vitin 2012 jam bërë pjesë e Komitetit Olimpik të Kosovës, fillimisht si nënkryetar i parë dhe në vitin 2017 jam bërë edhe sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimipk. Gjatë kësaj periudhe konsideroj e Kosova i ka pasur sukseset më të mëdha në arenën ndërkombëtare por edhe të brendshme. Me kontributin tim por edhe të bashkëpunëtorëve Komiteti Olimpik i Kosovës është pranuar në Komitetin Olimpik ndërkombëtar. Normal këtu kontributin më të madh e ka dhënë ish-presidenti i atëhershëm Besim Hasani, mirëpo krahas tij jam munduar edhe unë të jap kontributin tim. Momentin që është pranuar Komiteti Olimpik i Kosovës janë hapur rrugë për ndërkombëtarizimin e të gjitha federatave dhe sot fatbardhësisht gjitha federatat e Kosovës janë të ndërkombëtarizuara”, shprehet Shasivari.
Përmirësimi i kushteve për veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, dhe kategoritë e tjera shoqërore, sipas tij, do të jenë në fokus të punës së tij si deputet.
Haxhijaj: Të gjitha kategoritë e luftës janë trajtuar si mos më keq, me PDK-në do të mbrohen vlerat e tyre
“Jo vetëm veteranët, por të gjitha kategoritë e luftës janë trajtuar si mos më keq. Për herë të parë veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, invalidët janë të injoruar nga kjo qeveri, fare nuk është marrë me të njëjtit. Aq më keq këta nuk janë dëgjuar për hallet e tyre, mirëpo me programin e Bedri Hamzës, dhe ne si PDK dhe unë si deputet këto vlera të luftës do t’i mbrojmë më së miri dhe do të kujdesemi që mirëqenia e tyre do të përmirësohet... Po ashtu me qeverisjen e Bedri Hamzës është premtim që pagat do të ngriten deri në 50 për qind për gjitha kategoritë, kështu do të mundohemi t’i dalim përballë ngritjes së çmimeve dhe inflacionit që ka ndodhur këto katër vite”, thotë ai.
Fushata për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të fillojë nesër, më 11 janar, ndërkaq, zgjedhjet mbahen më 9 shkurt.