Energjetika është ndër produktet më strategjike që importon shteti i Kosovës.
Megjithatë kapacitetet ekzistuese të saj janë të ngarkuara.
Kjo për shkak të bllokimit të linjave për furnizim me energji nga një pjesë e rajonit.
“Linja Kosovë-Shqipëri është aktive dhe duke u shfrytëzuar. Vënia në funksion e linjave me fqinjin verior për qëllime komerciale lidhet me mungesën e një Marrëveshjeje Operative ndër operatorë. KOSTT ka ofruar materialin për këtë marrëveshje dhe ka shprehur gatishmëri të plotë për finalizimin e saj, por pala fqinje EMS nuk ka treguar gatishmëri për nënshkrim. Pavarësisht kësaj, KOSTT ka vazhduar të ndjekë të gjitha procedurat në forumet ndërkombëtare, përmes Sekretariatit të Energjisë, ENTSO-E, dhe EuropeanFederationofEnergyTraders (EFET), duke kërkuar dhe siguruar që interesat e vendit tonë të mbrohen”, kanë thënë nga KOSTT.
Ndërsa për funksionimin e linjës energjetike me Shqipërinë shprehet skeptik eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.
“Është aktive por sa është funksionale? Në këtë drejtim duhet pasur shumë kujdes sepse kanalet janë të mbyllura, pas lëshimit të kësaj autostrade energjetike dhe dëmin po e paguan Kosova”, ka deklaruar ai.
Tutje, Gërxhaliu thekson se nga qasja e gabuar e qeverisjes deri më tash në këtë fushë, më së shumti po dëmtohen bizneset.
“Në përditshmëri kemi ndërprerje të energjisë elektrike, në përditshmëri kemi defekte të ndryshme. Në përditshmëri shumë më tepër dhe më lehtë servohet terri apo mungesa e energjisë elektrike se sa të blehet në vendet e rajonit dhe më gjerë”.
Kostoja mesatare e transmetimit në të dy drejtimet për vitin 2024 ishte më e larta për kufirin me Malin e Zi, rreth 1.32 EUR/MWH.