Ministri Murati: Kosova ka pasur inflacion më të ulët në vitin 2024

Ekonomi

Ministri Murati: Kosova ka pasur inflacion më të ulët në vitin 2024

Më: 21 janar 2025 Në ora: 13:55
Ministri i Financave, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se Kosova ka pasur inflacion më të ulët në vitin 2024.

Ai bëri të ditur se shkalla mesatare e inflacionit në vitin 2024 në Kosovë ka qenë 1.6% sipas ASK-së, duke thënë se kjo e bënë Kosovën vendin me shkallën më të ulët të inflacionit nga të gjitha shtetet e rajonit.

“Shkalla mesatare e inflacionit për vitin 2024 në Kosovë ka shënuar 1.6%, sipas ASK-së. Kjo njëkohësisht e bën Kosovën vendin me shkallën më të ulët të inflacionit nga të gjitha shtetet e rajonit. Inflacioni ka goditur të gjitha vendet e botës viteve të fundit, por falë masave të ndërmarra nga Qeveria, Kosova qëndron më mirë sesa rajoni”, ka shkruar Murati.

Derisa, ministri thotë se Kosova tani qëndron më së mirë sesa rajoni, falë masave të ndërmarra nga Qeveria.

Madje, ai ka përmendur disa subvencione që ka bërë Qeveria Kurti.

“Kemi subvencionuar energjinë elektrike, për të mbajtur çmimin të përballueshëm, dhe kjo ka ndikuar që të parandalohet rritja e mëtutjeshme edhe për poduktet tjera që prodhohen në vend. Sepse kur shtrenjtohet energjia elektrike si input në proces prodhimi, patjetër që shtrenjtohet edhe produkti final. E prodhuesit në Kosovë vazhdojnë ta kenë koston më të lirë të energjisë elektrike në rajon.

Kemi rritur subvencionet në bujqësi, që të kemi stabilitet më të lartë e të mos varemi kryekëput nga çmimet e importit.

Kemi subvencionuar prodhuesit për të shtuar kapacitetet prodhuese, dhe kemi mbështetur të gjitha bizneset përmes Superpunës duke ua lehtësuar koston e marrjes së punëtorëve të rinj.

Kemi rritur pagat në sektorin publik për 46.5% mesatarisht prejse kemi marrë mandatin, dhe kemi rritur pagën minimale pas më shumë se një dekade në 350 euro.

Kemi rritur pensionet fillimisht duke u siguruar që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, kemi ndarë 5 herë radhazi shtesën e njëhershme prej 100 euro, dhe kemi rritur pensionet edhe për 20% tjera.

Kemi nisur skemën e shtesave për fëmijë dhe nëna lehona, dhe kemi vazhduar duke i rritur shtesat në vitin e kaluar. Gjithsej 150 milionë euro shtesë gjatë vitit u shkojnë të gjitha familjeve të Kosovës që kanë fëmijë”, ka shkruar Murati në Facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat