Beteja e programeve ekonomike, sa real është zbatimi i tyre?

Ekonomi

Beteja e programeve ekonomike, sa real është zbatimi i tyre?

Më: 22 janar 2025 Në ora: 13:49
Foto ilustrim

Zgjidhja konkrete për problemet me energjinë elektrike, qasja në financa dhe programet për ide inovative po konsiderohen të jenë çështje të rëndësishme, por të lëna jashtë plan-programeve të subjekteve politike në kuadër të fushatës zgjedhore.

Ekspertë të ekonomisë thonë se partitë opozitare kanë ofruar zgjidhje interesante në fushën e ekonomisë, porse sipas tyre kjo nuk është e mjaftueshme. Derisa, për partinë që aktualisht është në pushtet u shprehën se nuk kanë ofruar planprogram të shkuar, që të mund të analizohet.

Njohës i fushës së ekonomisë, Ismet Mulaj në një prononcim për KosovaPress thotë se zgjidhja e problemit për mungesën e energjisë elektrike është një nga sfidat kryesore, por që sipas tij nuk po i jepet vëmendja e duhur.

"Partitë opozitare janë më të avancuara në këtë drejtim. Kanë ide më shumë, më konkrete. Kanë ofruar disa zgjidhje interesante për shumë prej problemeve të Kosovës. Ndërsa, partia në pushtet ndoshta edhe për shkak të komoditetit, në një mënyrë po mundohet ta shpjegojë vazhdueshmërinë. Projektet që i ka kjo qeveri, ose që i ka proklamuar në mandatin e kaluar. Po shpreson t'i vazhdojë në këtë mandat. Janë edhe disa tema pak futuristike (përpjekja për të eksploruar). Ende partitë politike nuk po ofrojnë një zgjidhje konkrete për energjinë elektrike që është një nga problemet kryesore pothuajse...Edhe PDK edhe LDK po ofrojnë disa zgjidhje interesante në fushë e ekonomisë. Por, ende nuk është e mjaftueshme. Ndoshta, edhe programet janë më shumë programe zgjedhore dhe si të tilla diskutohen në grupe të caktuara ekspertësh, jo shumë me grupe të interesit", thotë ai.

Mulaj potencoi se duhet gjetur zgjidhje të duhur dhe të shpejtë sa i përket gjenerimit të energjisë elektrike.

"Asnjëra prej partive politike nuk ka ofruar zgjidhjen e duhur, të shpejtë. Ndërtimi i kapaciteteve të reja sikur LDK-ja që e ka ndërtimin e termocentralit me gaz. Ajo është një projekt afatgjatë. Mund të merr 5-10 vjet të realizohet. Por, çka do të ndodhë me ekonominë e Kosovës nëse nuk kemi gjenerim më të madh të energjisë elektrike. Sidomos vitin e parë, të dytin dhe të tretin”, thotë ai.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se është e rëndësishme që premtimet e dhëna në fushën e ekonomisë nga subjektet politike të implementohen.

"Ne kemi pasur mundësi që t’i shohim programet e tri partive politike, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, ku s'kemi parë program. S'kemi pasur mundësi ta lexojmë programin e tyre. Sa i përket këtyre tri partive kemi pasur mundësinë me pa dhe janë programe ose janë propozime që shkojnë në koherencë edhe me kërkesat e biznesit. Mirëpo, nëse implementohen ashtu siç janë dhënë nëpërmjet programeve të tyre, do ta kenë efektin e drejtpërdrejtë në zhvillim ekonomik. Por, edhe në ngritje të mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës”, thekson Rafuna.

Përveç kësaj, Rafuna tha se ka mundësi që të bëhet më shumë, derisa u shpreh se kërkesë mbetet që të ketë edhe më shumë masa për të ndihmuar bizneset dhe ekonominë e vendit.

Ai potencoi se partitë opozitare se sipas tij, janë më konkrete sa i përket zotimeve në fushën e ekonomisë, duke treguar edhe burimin e mjeteve që do të përdoren. Ndërsa, për partinë në pushtet u shpreh se përveç premtimeve nëpër tubime elektorale, nuk ka parë plan-program që mund të lexohet dhe analizohet.

"Edhe propozimet të cilat janë bërë, për dallim prej herëve tjerave, këtë herë janë shumë mirë se janë të parapara me shuma konkrete por është e paraparë se si do të merren ato mjete, burimi i atyre mjeteve nga do të vjen. Dihet që ne si Kosovë, si treg kemi nevojë shumë, por edhe si biznes, kemi nevojë shumë më shumë masa...Për neve është shumë e rëndësishme që ajo që premtohet të realizohet...Ka mundësi që të bëhet më shumë. Por, brenda mundësive buxhetore dhe planifikimeve se si e kanë paraparë rritjen e buxhetit dhe rritjen e Bruto Produktit Vendor, këto tri partitë që e kanë përgatitë programin opozitare, i kanë paraparë ato masa që janë shumë të mirëseardhura. Kërkesa është jonë është që të ketë edhe më shumë masa për ta ndihmuar biznesin dhe ekonominë e vendit. Fatkeqësisht, ne nuk kemi parë program sa i përket Vetëvendosjes. Vetëm çka kemi parë ato çka janë deklaruar gjatë fushatës, tubimeve elektorale. Ne nuk e dimë koston, ne nuk e dimë mënyrën e asaj kosto që është paraparë dhe nuk po tregohet se nga do të vjen rritja e tyre", theksoi Rafuna.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj ndër të tjera përmendi edhe pasojat e mungesës së qasjes në financa, çështje kjo që sipas tij nuk është prekur nga partitë politike në fushatën elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit.

"Po ashtu, po mungojnë debatet politike nëpër media. Në mungesë të debateve politike në fushë e ekonomisë, në një mënyrë edhe e zbeh interesimin e qytetarit për t'i lexuar ose parë me vëmendje problemet...Një nga problematikat kryesore është qasja në financa dhe programet për Start Up, apo idetë inovative. Ka të ri e të reja, ose individë të ndryshëm në Kosovë që kanë ide inovative. Në mungesë të qasjes në financa e kanë shumë problem t'i zhvillojnë ato ide", potencoi Mulaj.

Disa nga subjektet politike gjatë këtyre ditëve të fushatës elektroale kanë premtuar para simpatizantëve të tyre investime kapitale miliardëshe, buxhet 5 miliardësh, mbështetje të sektorit prodhues për nxitje të eksportit, fuqizimi i grave në ekonomi, rritje të pagave e të pensioneve, si dhe rritje të Bruto Prodhimit Vendor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat