Marrëveshja e tregtisë së lirë me Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA-n), po vlerësohet shumë pozitive nga sektori i ekonomisë, por sigurisht nuk është zëvendësim për ndihmën që shteti duhet të japë për prodhuesit vendor në mënyrë që të kemi se çka t’i shesim botës. Në raportin eksport-import, tregtia me Zvicrën, Islandën, Norvegjinë dhe Islandën është simbolike, për dhjetë vite 600 milionë euro.
Tarifat doganore, taksat, dhe të gjitha barrierat tregtare ndërmjet Kosovës, Zvicrës, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë u hoqën me një nënshkrim në letër.
Marrëveshja e tregtisë së lirë me EFTA-n, ku bëjnë pjesë këto katër shtete, po vlerësohet mundësi e mirë për prodhuesit vendorë, por edhe anasjelltas.
“Mund të ketë dyfishim ose trefishim, mund të ketë por nuk duhet me harru se kjo marrëveshje me automatizëm nuk e ngritë prodhimin tonë, ne duhet të kemi edhe politika të brendshme, na duhen edhe reforma fiskale të brendshme për ta ndihmuar prodhimin tonë e për t’u zgjeruar edhe për të eksportuar jasht”, ka thënë kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna.
Por cili është raporti tregtar me EFTA-n.
Në periudhën 2013-2023, pra për 10 vjet Kosova ka importuar rreth 40 miliardë euro mallra.
Nga kjo shifër vetëm 301 milionë euro vijnë nga EFTA.
Sa i përket eksportit apo shitjes së mallrave nga rreth 5.4 miliardë euro eksporte, vetëm 371 milionë janë në EFTA.
Pjesa dërmuese e shkëmbimit simbolik tregtar bëhet me Zvicrën, ndërkaq Islanda, Norvegjia dhe Lihtenshtajni kanë përqindje shumë të vogël me raste zero.
Sa për ilustrim gjatë vitit 2023, në vendet e EFTA-s Kosova eksportoi 76 milionë euro mallra dhe importoi produkte në vlerë 99 milionë euro.
Ndryshe, Kosova nënshkroi më 22 janar një marrëveshje me Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), pas bisedimeve që zgjatën më shumë se dy vjet e gjysmë.
Nëse një prodhues vendës kosovar është detyruar të paguajë një tarifë shtesë doganore prej 10 për qind për t’i eksportuar mallrat e veta në një vend me mërgatë të madhe, si Zvicra, nga tani ai, lëre më që nuk do të paguajë çmim shtesë, por nuk do të paguajë fare tarifë doganore.
Marrëveshja ofron shumë mundësi, përfshirë ato për importimin dhe eksportimin e mallrave. Konsumatorët dhe kompanitë mund të gëzojnë çmime më të lira, ndërsa kompanitë vendëse mund t’i shesin produktet e tyre më me lehtësi në tregjet e huaja.
Marrëveshja u mundëson kompanive në vendet kontraktuese qasje të ngjashme ose më të mirë sesa konkurrentët e tyre nga vendet e treta, sipas EFTA-s.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i bindur pas nënshkrimit të marrëveshjes në Davos të Zvicrës se ajo “do të sjellë përfitime për bizneset, industritë dhe qytetarët e të gjitha vendeve [palë]”.