Guvernatori i BQK-së Ismaili së bashku me Zëvendësguvernatorin Fusha morën pjesë ne takimin themelues (virtual) të Grupit Drejtues për Implementimin e SEPA, nën udhëheqjen e Drejtorëve Gjeneral të Drejtorisë së Zgjerimit (DG NEAR, z. Koopman dhe Drejtorisë për stabilitet dhe shërbime financiare (DG FISMA), z. Berrigan, me pjesëmarrjen e Guvernatorëve të bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë, si dhe Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), Bankës Qendrore Evropiane (ECB) dhe Bankës Botërore (WB).
Qëllimi i themelimit të këtij grupi është të ndjek zbatimin e projektit të zgjerimit të zonës gjeografike të SEPA, si një forum për shkëmbimin e përvojave, informacioneve dhe koordinimin për të adresuar çështjet relevante të zbatimit të këtij projekti.
Në vijim të zhvillimeve që dalin nga plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, nisma për themelimin e Grupit Drejtues nga Drejtoria e Zgjerimit (DG NEAR) e Komisionit Evropian, vjen pas një serie të takimeve të nivelit të lartë dhe grupeve teknike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të projektit të Modernizimit të Sistemeve të Pagesave të Ballkanit Perëndimor, ku edhe Republika e Kosovës u përfaqësua nga Banka Qendrore, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Banka Botërore në koordinim me Këshillit të Bashkimit Rajonal (RCC), me mbështetjen e qeverive të shteteve në kuadër të Procesit të Berlinit.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dorëzoi para-aplikimin e plotësuar për anëtarësim në SEPA me datën 20 dhjetor 2024, ndërsa pret që të pranojë vlerësimet paraprake për shqyrtim dhe hapje të rrugës për aplikim përfundimtar për anëtarësim në SEPA, në pajtim me Planin Strategjik të BQK-së.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është e zotuar për bashkëpunim në kuadër të nismave të tilla të Bashkimit Evropian të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin tonë drejt integrimit të sistemit tonë financiar me tregun unik të Bashkimit Evropian, përderisa punon me intensitet të lartë në avancimin e infrastrukturës përkatëse rregullative dhe teknike për shfrytëzimin e të gjitha përfitimeve që sjellin për qytetarët dhe ekonominë e vendit, krahas sektorit financiar.