​Trump dhe pritjet për proceset ekonomike në Kosovë

Ekonomi

​Trump dhe pritjet për proceset ekonomike në Kosovë

Më: 29 janar 2025 Në ora: 11:15
Donald Trump

Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të parë ndërmjetësoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator të vitit 2020. Teksa pritet të shihet ndikimi i tij në proceset ekonomike të Kosovës edhe në mandatin që mori më 20 janar të këtij viti.

Njohës të ekonomisë në Kosovë kanë mendime të ndryshme sa i përket ndikimit të Trump në proceset ekonomike të Kosovës.

Profesori i ekonomisë, Ilir Hajdini shprehet optimist se marrëveshja e vitit 2020 mund të riaktivizohet, porse këtu thotë se “ndikim do të ketë edhe qasja e qeverise së ardhshme në Kosovë ndaj ShBA-së”.

Ai beson se nëse do të ketë Kosova një qeveri bashkëpunuese dhe argumentuese me njerëz profesional, do të arrihet të binden të përzgjedhurit e në Administratën Trump për ndikim pozitiv ndaj Kosovës.

“Do të ketë ndikime, por varet se si i qasemi ne SHBA-ve, varet se kush do të jetë në qeverinë e ardhshme në Kosovë. Në qoftë se do të kemi një qeveri bashkëpunuese, dhe argumentuese me njerëz profesional që do të arrijnë të bindin të përzgjedhurit e administratës, se si veprohet në raport me Kosovën. Atëherë kemi gjasa që këtë impakt që mund të jetë negativ mund të shndërrojmë në impakt pozitiv. E Gjitha varet se si do të udhëheqim dhe sa e kuptojmë qasjen amerikane globale...06:01 Po ashtu ata mund të rikthejnë çështjen e negociatave që i ka pas Kosova me Serbinë nën administratën e Trumpit para katër vitesh. Dhe ata zakonisht e kanë një qasje ekonomike për zgjedhjen e problemeve, kështu kanë mundësi të na shtynë neve të arrijmë marrëveshjeje tjera për zhvillimin e infrastrukturës me vendet përreth e sidomos me Serbinë që nëse ndodh kjo, ne do të përfitonim”, nënvizon Hajdini.

Ndërsa, për dallim nga Hajdini, njohësi i çështjeve ekonomike, Emanuel Bajra, shprehet skeptik se mund të riaktivizohet marrëveshja për normalizim ekonomik e cila ishte nënshkruar në shtator të vitit 2020 nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në prani të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk jam i sigurt se marrëveshja e vitit 2020 do të rigjallërohet për shkak se eksponenti kryesor i kësaj marrëveshje që është Richard Grinell nuk e ka përgjegjësi Kosovën tash për tash....Mos të harrojmë që kemi të bëjmë me një president shumë të paparashikueshëm, i cili mund të marrë vendime të cilat ndoshta edhe nuk do të na pëlqejnë neve, por nuk do i pëlqejnë as aleatëve tjerë evropian...Objektivi i administratës së re Trump është ringritja dhe ri-fuqizimi i SHBA-ve dhe tarifat do të jenë një ndër mjetet kryesore që ai do ta bëjë këtë. Sa do të ndikojë kjo në ekonominë e rajonit, evropiane, globale ose në ekonominë e Kosovës, besoj se do të jetë një ndikim tejet i vogël, për shkak se nuk kemi dinamikë të madhe të eksporteve me ShBA-të. Gjasat janë që tarifat nuk do të imponohen në Kosovë, dhe se tarifat nuk do të imponohen gjithandej globalisht. P.sh rreziku më i madh që shoh këtu është pikërisht prezenca amerikane në Kosovë, mund të lind pyetja, pse jemi në Kosovë, sa na kushton neve si Amerikë të jemi në Kosovë, a kemi frekuencë të mirë ekonomike mes Kosovës dhe SHBA-ve. Pra, këto do të jenë pyetjet ndoshta më të rëndësishmet që do të bëhen në muajt dhe vitet në vazhdim, sesa që do të kemi ndonjë efekt direkt në ekonominë e vendit tonë”, thotë Bajra.

Ai gjithashtu ka theksuar se rreziku më i madh për Kosovën në periudhën e ardhshme do të vijë nga një situatë e mundshme në të cilën Serbia refuzon të njohë shtetin e Kosovës.

Ndërsa, shton se efektet potenciale në ekonomi, në rajon në përgjithësi do të vijnë nga efektet që do t’i ketë nëse Trump vendos që t’i vë tarifa vendeve tjera si Gjermanisë, Francës, Italisë e vendeve tjera.

“Është me rëndësi të marrim parasysh që efektet potenciale në ekonomi, në rajon në përgjithësi do të vinë nga efektet që do t’i ketë nëse Trump vendos që t’i vë tarifa Gjermanisë, Francës, Italisë e vendeve tjera përreth, atëherë efektet do të jenë edhe në Kosovë. Sepse mos të harrojmë që kemi 1.4 miliardë remitanca që vinë nga diaspora, dhe kjo do t’i efektojë ata. Efektet do të jenë më shumë indirekte se sa direkte në ekonominë e Kosovës...Rreziku nuk është Kosova nuk po na dëgjon neve, rreziku do të jetë më i madh afatgjatë, nëse e kemi një Serbi e cila insiston që të mos na njohë, kjo është rreziku më i madh për ne. Dhe nëse kemi dobësimin e Evropës, atëherë edhe rajoni e Ballkani do të jetë tepër e dobësuar, për shkak se nuk do të ketë një shtytje direkte të Evropës karshi arritjes së një marrëveshje përfundimtare mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Përderisa unë e shoh me skepticizëm, nuk jam shumë optimist që Amerika do të jetë shumë e involvuar në këtë dialogun Kosovë-Serbi, për shkak se nuk është qysh e ka urgjencën me Ukrainën e Kanadanë”, shton Bajra.

Ani se dikur e kundërshtoi fort marrëveshjen e 2020, kryeministri Albin Kuti dje për gazetën spanjolle “El Mundo”, ka potencuar se marrëveshjet ekonomike të arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit Serbisë, ka theksuar se ‘kjo ishte qasja e asaj kohe, administrata presidentit Trump 1 për promovimin e stabilitetit’.

Marrëveshja parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore. Sipas marrëveshjes, Kosova obligohet të bëhet pjesë e një iniciative për lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore, që do ta përfshijë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kandidati i republikanëve në zgjedhjet presidenciale Donald Trump, është shpallur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara duke siguruar rreth 276 vota të Kolegjit Elektoral.

Në garën e 5 nëntorit ishin demokratja Kamala Harris, aktualisht zëvendëspresidente e Amerikës dhe republikani Donald Trump, i cili ishte president nga viti 2017 deri më 2021.

Ndërkaq, fitoren e Trumpit e kanë përshëndetur lider botërorë. Edhe në Kosovë Trumpi u urua nga liderë institucional e partiak.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat