Guvernatori Ismaili pret në takim ekspertët e Misionit të Bankës Botërore

Ekonomi

Guvernatori Ismaili pret në takim ekspertët e Misionit të Bankës Botërore

Më: 4 shkurt 2025 Në ora: 16:13
Foto nga takimi

 

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili së bashku me zëvendësguvernatorët, Dardan Fusha, me bashkëpunëtorin Milot Cakaj, ka takuar ekspertët e Misionit të Bankës Botërore në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Sektorit Financiar (FinDev) me prezencën e Massimiliano Paolucci, menaxher i vendit për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore të Bankës Botërore.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se temat kryesore për diskutim ishin përgatitjet e nevojshme për zbatimin e projektit më të ri për ‘Zhvillimin e Sektorit Financiar’, përkatësisht komponentëve të digjitalizimit të shërbimeve financiare (sistemi i pagesave të shpejta), si dhe rritja e stabilitetit të sektorit financiar, përmes avancimit të kornizës rregullative dhe kapitalizimit të Fondit të Sigurimit të Depozitave.

“Përfaqësuesit e BQK-së në këtë takim njoftuan ekspertët e BB-së mbi aktivitetet e fundit të BQK-së në funksion të realizimit të objektivave dhe të Planit Strategjik, procesin e para- aplikimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe procesin e zhvillimit të sistemit të pagesave të shpejta të Eurosistemit, i njohur si TIPS. Gjithashtu, ata u njoftuan edhe për aktivitetet e ndërmarra nga BQK për avancimin e infrastrukturës teknike të BQK-së”, thuhet në njoftim.

Tutje, guvernatori Ismaili, duke shprehur falënderimin për mbështetjen e Bankës Botërore, ka informuar edhe për zhvillimet në sektorin financiar, veçanërisht miratimi i Udhërrëfyesit Strategjik për Menaxhimin dhe Mbikëqyrjen e rreziqeve të lidhura me klimën dhe mjedisin në sektorin financiar, e cila ishte me mbështetjen e Qendrën Këshilluese për Sektorin Financiar (FinSAC) të vet Bankës Botërore.

Ndryshe, Paolucci rikonfirmoi mbështetjen e Bankës Botërore për projektet në proces dhe shprehën gatishmërinë për zhvillimin e tyre sipas planifikimeve të parapara.

“Kjo vizitë nënvizon bashkëpunimin e shkëlqyeshëm midis dy institucioneve si dhe mbështetjen e vazhdueshme të BB-së për të avancuar stabilitetin financiar si dhe modernizimin e shërbimeve të sektorit financiar të vendit”, thuhet në fund të njoftimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat