Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, buxheti vjetor i vendit ka ndjekur trendin konstant të rritjes. Ndër vite, qeveritë e ndryshme kanë pasur prioritete të ndryshme gjatë menaxhimit të buxhetit vjetor.
Kur Qeveria e Kosovës ka marrë për herë të parë përgjegjësinë e menaxhimit me buxhetin vjetor nga Misioni i Kombeve të Bashkuara - UNMIK, në vitin 2008, buxheti ka qenë pak mbi një miliard euro.
Që nga ajo kohë, buxheti është më shumë se dyfishuar.
Me ndryshimin e qeverive, ndarja e buxhetit nëpër ministri të ndryshme ka nxjerrë në pah edhe ku janë fokusuar ato qeveri.
Por, ndryshimi i shpeshtë i tyre ka bërë që edhe fokusi të ndryshonte shpesh.
Të dhënat tregojnë se, më parë, një pjesë e madhe e buxhetit është shpenzuar për infrastrukturë dhe planifikim hapësinor, por ky buxhet tani është më i vogël seç ka qenë në vitin 2010.
Për shëndetësi, ndërkaq, buxheti ka mbetur pothuajse i njëjtë ndër vite, pavarësisht rritjes së buxhetit të përgjithshëm.
Qeveria aktuale - e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje - është qeveria e parë që arrin ta përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.
Që nga viti 2015, me buxhetin kanë udhëhequr Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albin Kurti i Vetëvendosjes në qeverisjen e parë më 2020, para se të zëvendësohej pastaj nga Avdullah Hoti i LDK-së për më pak se një vit.
Por, përderisa buxheti tregon planin e qeverisë për ndarjen e parave publike, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregon edhe shpenzimet që qeveria ka bërë përmes raporteve që publikohen çdo tre muaj.
Gjatë viteve të fundit, më së shumti para janë shpenzuar për mbrojtje sociale, duke e zëvendësuar kështu prioritetin e mëparshëm për çështje ekonomike.
Në disa kategori, si ajo e mbrojtjes së mjedisit, buxheti nuk ka pësuar ndryshime drastike sa në disa të tjera.
Mbrojtja e ambientit ka mbetur gjatë gjithë dekadës si kategoria për të cilën është shpenzuar përqindja më e vogël e parave publike, pavarësisht se kush ka qenë në krye të qeverisë.
Në kuadër të shpenzimeve të përgjitshme hyn edhe buxheti për pagat e punonjësve publikë.
Ndër vite, si numri i punëtorëve, ashtu edhe shuma e buxhetit për pagat e tyre janë rritur.
Në përgjithësi, trendi i rritjes së pagave vërehet edhe jashtë institucioneve publike në Kosovë. Në tetor, paga mesatare bruto në vend ka qenë gati 795 euro, krahasuar me mesataren prej 431 eurosh sa ka qenë në vitin 2017./REL