Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas paralajmërimeve se do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Zëdhënësi i kësaj partie, Blerand Stavileci ka thënë se qytetarët nuk mund të përballojnë edhe një barrë të re financiare. Ai në konferencë për media tha se presin që ditën e nesërme të ketë zgjedhje demokratike dhe transparente.
Para mediave, Stavileci se Kosova po përballet me një rritje të ndjeshme të kostos së jetesës.
Stavileci: Mjaft më me barra të paarsyeshme dhe të pandershme në kurriz të qytetarëve
“Nuk mund të mos shprehim shqetësimin tonë për paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në këtë periudhë të krizës ekonomike. Kosova po përballet me një rritje të ndjeshme të kostos së jetesës në pesë vitet e fundit dhe qytetarët nuk mund të përballojnë edhe një barrë të re financiare. Mjaft më me barra të paarsyeshme dhe të pandershme në kurriz të qytetarëve. PDK ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në anën e qytetarëve, duke mbrojtur interesin e tyre dhe duke kundërshtuar vendimet që rëndojnë jetesën e familjeve kosovare si dhe duke punuar çdo ditë që ta përmirësojë standardin e tyre”, u shpreh ai.
Gjatë këtyre ditëve të fushatës zgjedhore, Stavileci shtoi se kanë takuar me mijëra qytetarë dhe se mesazhi i tyre ishte për “rikthim të besimit në një qeverisje të përgjegjshme dhe të ndershme”.
Stavileci: PDK ka hyrë në këto zgjedhje me vizion konkret dhe plan të sigurt
“PDK ka hyrë në këto zgjedhje me një vizion konkret dhe një plan të sigurt. Me lidershipin e kryetarit Memli Krasniqi, i cili ka udhëhequr me shembull gjatë gjithë fushatës. Me Bedri Hamzën, një lider i dëshmuar, një njeri i besës dhe i veprës që di të menaxhojë sfidat dhe ta çojë Kosovën përpara. Pritshmëritë janë të mëdha sepse qytetarët e kanë kuptuar se kjo nuk është vetëm një betejë elektorale, kjo është një zgjedhje për të ardhmen e Kosovës, për një qeveri të përgjegjshme, të ndershme dhe profesionale. Një qeveri që nuk dështon në detyrën e saj por punon çdo ditë për mirëqenien e qytetarëve”, tha ai.
Në zgjedhjet e nesërme, Stavileci shtoi se përcaktohet e ardhmja e Kosovës.
Stavileci: Presim zgjedhje demokratike dhe transparente
“Nesër presim zgjedhje demokratike dhe transparente. Një ditë e rëndësishme ku Kosova do të tregojë pjekuri demokratike dhe do të votojë për një të ardhme më të mirë. Ne jemi të bindur se qytetarët do ta bëjnë zgjedhjen e duhur dhe pas 9 shkurtit, Bedri Hamza do ta marrë drejtimin e qeverisë. Bedri Hamza do ta rikthejë ritmin e zhvillimit, do të sjellë stabilitet dhe do të fillojë ndërtimin e një të ardhmja më të sigurt për të gjithë”, përfundoi ai.
Ai ka ftuar të gjithë qytetarët që të bashkohen në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, i cili do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”, nga ora 16:30.