Kosova 17 vjet shtet, arritjet dhe dështimet në ekonomi

Ekonomi

Kosova 17 vjet shtet, arritjet dhe dështimet në ekonomi

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 20:31
Ilustrim

Kosova nesër këtë të hënë 17-vjetorin e pavarësisë së saj. Që nga formimi i shtetit, në Kosovë kanë qeverisur pothuajse të gjitha subjektet politike në vend. Për këto vite, Kosova nuk ka arritur të krijojë qëndrueshmëri ekonomike. Përveç kësaj, nga qershori i vitit 2023 vendi mbetet nën sanksione nga Bashkimi Evropian si rrjedhojë e situatës së krijuar në veri.

Sfidë për Kosovën mbetet edhe shkalla e lartë e varfërisë dhe numri i madh i papunësisë krahasuar me vendet e rajonit. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar në Kosovë.

Profesori i ekonomisë Ilir Hajdini ka përmendur disa të arritura për këto 17 vite shtet në sektorin e ekonomisë.

 “Kosova 20 vitet e fundit ka pasur një ngritje të vazhdueshme ekonomike. Projektet më të theksuara që ja vlen me u përmend, kanë qenë autostrada që e ndërlidh Kosovën me Shqipërinë, ajo “Ibrahim Rugova” dhe autostrada tjetër mes Prishtinës dhe Shkupit… Në sektorin e energjetikës po ashtu kemi pasur një bashkim të tregut të Kosovës me Shqipërinë, i cili u mundësua prej investitorëve gjermanë… Në kuadër të investimeve të huaja, që kanë ndodhur, e kemi përjetuar një rritje të ngadalshme”, ka shtuar Hajdini.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë se është koha për të ndjekur trendët evropiane dhe globale në aspektin ekonomik.

 “Vet fakti që sot nuk kemi investime, investitorë të huaj, është dëmi më i madh. Besoj që gjithçka mund të quhet krenari e Kosovës këto 17 vitet e fundit, është fakti që sektori privat vërtetë ka avancuar shumë më tepër se politika. Është edhe fakti që kontributi i diasporës ka qenë mjaft evident në aspektin ekonomiko social në Kosovë, por tani, duhet të kemi një dialog, duhet me të vërtetë të avancohet ky partneritet, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ecët përpara. Është koha kur duhet t’i ndjekim trendët evropiane dhe globale jo gjithmonë të mendojmë të kaluarën.. Promovimi i atyre produkteve me shumë sfida të prodhuara në Kosovë, në arenën ndërkombëtare, është diçka që e bënë krenare ekonominë e Kosovës. Vetëm sektori privat është garanci e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”,-tha Gërxhaliu.

Sipas ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj pas pavarësisë ka pasur reforma strukturore me interes për bizneset e Kosovës, por të cilat ai thotë se nuk ishin të mjaftueshme.

“Ka pasur realisht reforma strukturore me interes për bizneset e Kosovës, por jo të mjaftueshme. Ne kemi filluar prej zeros, vitet e para sidomos pas lufte kanë qenë vite të rindërtimit të Kosovës të nisjes së një jete të re. Është dashur të ndërtohet legjislacioni i ri, ka qenë legjislacion i parashikueshëm jo i bazuar në realitet që ka pasur Kosova për shkak se Kosova nuk ka pasur ndonjë ekonomi të zhvilluar. Paslufta ka krijuar një lloj tradite, sipas shpalljes së pavarësisë dhe qeveritë i kanë zhvilluar disa nga reformat, ka pasur tre pako fiskale reformash me interes për Kosovën. Por dinamika, është më e shpejtë dhe do të duhej legjislacioni për ekonomi t’i përshtatej zhvillimeve të reja që janë në Kosovë”, ka thënë Mulaj.

Kosova importon shumicën e produkteve nga shtetet fqinje, botës dhe ato të Bashkimit Europian.  Shteti më i ri në Evropë e më gjerë, më 2008 Kosova kishte një buxhet prej 1 miliard e 27 milionë euro, ndërsa për vitin 2025 buxheti arriti shifrën 3.6 miliardë eurosh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat