ATK me apel për qytetarët: Të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, janë të ardhura të tatueshme

Ekonomi

ATK me apel për qytetarët: Të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, janë të ardhura të tatueshme

Më: 28 shkurt 2025 Në ora: 15:26
Foto ilustrim

Administrata Tatimore e Kosovës ua rikujton të gjithë personave fizikë jo afaristë, personave fizikë afaristë dhe personave juridikë, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë Tatimet, në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe nuk paguajnë Tatimet.

Me fokus të veçantë, ATK do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët realizojnë të ardhura nga kriptovalutat.

Detyrimet tatimore për të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, varen nga ajo se çfarë statusi ka personi i cili ka realizuar të ardhurat, si:

• Nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është Person fizik jo afarist apo Person fizik afarist, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale;

• Nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është Person juridik, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-105 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.

Gjithashtu, theksohet se deklarimi dhe pagesa e tatimit për të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, duhet të bëhet sipas normave dhe me formularët si në tabelën më poshtë.

“Nëse personi krijon humbje, atëherë për humbjet e tilla mbanë evidenca të veçanta, të cilat duhet të jenë në dispozicion të ATK-së sa herë që kërkohen. Për personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe nuk paguajnë Tatimet, ATK do të ndërmarrë masat sipas legjislacionit tatimor”, vijon njoftimi.

Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore. Pagesa e tatimit, siguron qëndrueshmëri të ekonomisë në vend”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat