Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë të ditur se ka pasur rritje të eksportit të domates deri në 2048%.
Peci në një postim në Facebook, ka shkruar se në vitin 2021 eksporti i domateve në peshë ishte 135 ton, ndërsa në vitin 2024 ka arritur një shifër mbresëlënëse prej 2900 ton.
“Kjo ka sjellë një rritje të jashtëzakonshme prej 2048%. Përmes programeve për zhvillim rural, kemi mbështetur ngritjen e rreth 60ha me sera të reja, në vlerë prej 13 milion e 758 mijë e 452 euro”, ka shkruar Peci.
Ministri ka theksuar se ky sukses është një pasqyrim i mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë, e cila ka krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e bujqësisë, si dhe angazhimit dhe punës së palodhur të fermerëve tanë, të cilët po japin maksimumin për të sjellë prodhime cilësore dhe për të ndihmuar në rritjen e eksporteve të Kosovës.