Rusia ka regjistruar shifra rekorde të të vdekurve dhe infeksioneve me koronavirus për herë të dytë brenda më pak se një jave.
Gjatë 24 orëve të kaluara, në këtë shtet u regjistruan 25.487 raste të reja, duke e çuar në mbi 2 milionë e 187 mijë shifrën e përgjithshme të të prekurve, shkruan The Guardian.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 524 të vdekur, që është shifra më e lartë prej fillimit të pandemisë. Numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 38.062.
Kjo ishte hera e dytë nga e shtuna që Rusia regjistroi rekord të rasteve dhe viktimave të koronavirusit për 24 orë.
Pavarësisht rritjes së rasteve, të cilat presidenti Putin javën e kaluar i përshkroi si alarmuese, Rusia nuk ka vendosur për izolim si në disa shtete evropiane.
Autoritetet në shumë rajone kanë kërkuar përdorim të maskave në vende publike dhe e kanë kufizuar numrin e punëtorëve në zyra, por nuk kanë marrë vendim për izolim të rreptë në shtëpi.