Gjermania do të heqë ndalimin e dëbimeve në Siri të paktën për të dënuarit

Evropë

Gjermania do të heqë ndalimin e dëbimeve në Siri të paktën për të dënuarit

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 09:37
Ilustrim

Aktualisht Gjermania nuk dëbon azilantë në Sirinë e përfshirë nga lufta civile, as ata që kanë kryer vepra penale. Për disa politikanë të Unionit CDU/CSU, kjo gjendje nuk mund jetë vazhdojë gjithmonë kështu.

Sipas qëndrimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Horst Seehofer, nuk duhet të zgjatet përtej 31 dhjetorit ndalimi i përgjithshëm për dëbimet në Siri. "Do të angazhohem në konferencën e ministrave të Brendshëm të landeve, që në vend të një ndalimi të përgjithshëm të dëbimit, të verifikojmë në të ardhmen të paktën për autorët e veprave penale apo ata që konsiderohen të rrezikshëm çdo rast më vete, nëse është i mundur dëbimi në Siri", është shprehur Seehofer për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. Ndalimi i përgjithshëm për dëbimet në Siri u vendos në vitin 2012 dhe që atëherë është zgjatur disa herë.

Lufta civile në shumë zona të Sirisë ka marrë fund. Por sipas të dhënave të organizatave për të Drejtat e Njeriut, kush identifikohet si kundërshtar i familjes së Asadit kërcënohet nga tortura deri edhe vdekja. Në zonat e pakta që kontrollohen nga islamistët apo rebelët ka rreziqe për përkrahësit e familjes së Asadit. Në një raport për gjendjen në Siri të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë thuhet se "edhe në ato pjesë, në të cilat kanë rënë luftimet me armë, vazhdon edhe më tej të ekzistojë një rrezik i lartë për të qenë viktmë e dhunës apo sulmeve."

Image
Horst Seehofer

Pas sulmit me thikë të një islamisti në Saksoni, ku u arrestua një i dyshuar 20 vjeçar nga Siria, pasi vrau një 55 vjeçar e plagosi rëndë një 53 vjeçar tjetër, disa politikanë të Unionit i vunë pikëpyetje ndalimit të përgjithshëm të dëbimeve në Siri. Ministri i Brendshëm i landit të Baden-Vyrtembergut, Thomas Strobl u shpreh pas këtij sulmi. "Nëse në Siri ka zona krahasimisht të sigurta, të paktën ne duhet të mundemi të dëbojmë ata që kryejnë vepra penale të rënda apo janë të rrezikshëm, apo ata që mbështesin regjimin e Asadit." Strobl kërkoi që qeveria gjermane të aktualizojë vlerësimin e saj për gjendjen në Siri. Kurse politikani i CDU-së, Christoph de Vris kërkoi që "ndalimi i dëbimit të hiqet sa më shpejt. Pretendimi për mbrojtjen e refugjatëve merr fund aty ku nuk garantohet më mbrojtja e popullsisë në vend."/DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat