Spanja bën thirrje për ‘logjikë’ pas skenave kaotike në qendrat tregtare

Evropë

Spanja bën thirrje për ‘logjikë’ pas skenave kaotike në qendrat tregtare

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 20:40
Foto ilustrim

Qeveria spanjolle i ka bërë sot thirrje qytetarëve të tregohen të përgjegjshëm dhe të përdorin “logjikën” pas skenave të blerjeve të fundjavës me turma që mbushnin rrugët e Madridit e qyteteve të mëdha, kur vendi vijon betejën me valën e dytë të koronavirusit.

Kryeminsitri Pedro Sánchez i kërkoi njerëzve të reduktojnë jetën e tyre sociale dhe të kufizojnë lëvizjet për të mirën e përbashkët.

Por një kombinim i ofertave me ulje në sezonin e blerjeve dhe ndezjes së dritave të Krishtlindjeve, sollën turma gjigande në rrugët e Madrid, Barcelona, Valencia e Málaga në fundjavë.

Sot ministrja spanjolle e shëndetësisë Silvia Calzón, nxiti njerëzit të tregohen të zgjuar duke evituar grumbullimet.

“Ne i bëjmë apel sensit të kujdesit dhe përgjegjësisë së gjithë secilit. Nëse e pëlqejmë vërtet Krishtlindjen, le të sigurohemi që të jemi këtu dhe për Krishtlindjet e vitit që vjen”, tha ajo.

Ndërsa Ignacio Aguado, zëvendës-president i rajonit të Madrid nuk i dha rëndësi turmave duke i quajtur normale. “Më mirë të jenë në grupe të mëdha në rrugë, sesa në shtëpi,” tha ai për rrjetin LaSexta TV.

Kryebashkiaku i Madrid, José Luis Martínez-Almeida, gjithashtu tha se nuk i ndalonte njerëzit të dilnin në qendër të qytetit, duke thënë se policia ka planet e saj për evitimin e grumbullimeve të mëdha.

Qeveria spanjolle shpreson të evitojë një tjetër rritje të rasteve me Covid, duke sugjeruar që darkat e Krishtlindjeve të kufizohen në gjashtë persona, si dhe duke vendosur shtetrrethimin nga ora 01.00 deri në 06.00 në natën e krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

“Ne po punojmë për një plan të festave që do të jetë ndryshe por do të jetë i sigurtë. Këtë vit do të duhet të qëndrojmë në distancë nga të dashurit, dhe jo t’i përqafojmë ata”, tha më herët kryeministri Sánchez.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat