Njerëzit që janë pjesë e pakicave etnike ose me të ardhura më të ulëta kanë më pak gjasa të marrin vaksinën kundër koronavirusit që veç ka filluar të shpërndahet në Britani, thuhet në një studim nga Shoqëria Mbretërore për Shëndetin Publik.
Sondazhi tregoi se derisa tre të katërtat e të anketuarve do të merrnin vaksinën kundër COVID-19 nëse këshillohen ta bëjnë këtë nga një mjek, kjo shifër ra në 57% te njerëzit me ngjyrë dhe ata me prejardhje të pakicave etnike, shkruan Euronews.
Ekspertët e shëndetit publik dhe mjekët thonë se rezultatet, megjithëse shqetësuese, nuk janë për t’u habitur.
“Ne kemi njohur për vite me radhë që komunitete të ndryshme kanë nivele të ndryshme vlerësimi në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar”, tha Christina Marriott, shefe ekzekutive e Shoqërisë Mbretërore për Shëndetin Publik.
“Kohët e fundit kemi parë mesazhe anti-vaksinuese që janë shënjestruar në mënyrë specifike ndaj grupeve të ndryshme, duke përfshirë komunitete të ndryshme etnike ose fetare”.
Gjetjet përputhen me nivele vazhdimisht të ulëta të marrjes së vaksinave të tjera të tilla si fruthit dhe gripit, midis komuniteteve të pakicave etnike dhe në zona të varfra, thuhet në studim.
Problemi është përkeqësuar nga dezinformimi dhe fushatat anti-vaksinuese në mediat sociale.
Kiran Rahim, një pediatër me qendër në një zonë më të varfër të Londrës me një shkallë të lartë të refuzimit të vaksinave, tha se zyrtarët shëndetësorë duhet të bëjnë shumë më tepër për t’u angazhuar dhe për të arritur tek komunitetet e margjinalizuara dhe të pakicave.
Doktoresha Rahim tha se në rastin e vaksinës së gripit të hundës për fëmijë – të cilën shumë myslimanë e refuzojnë sepse përmban xhelatinë derri – marrja u përmirësua ndjeshëm pasi autoritetet vunë në dispozicion një mundësi alternative.
“Shumë prej nesh kanë lobuar për shumë vite që një version vegjetarian të jetë i disponueshëm, ne u takuam vazhdimisht me rezistencë,”.
“Kur bëhet fjalë për shëndetin publik, me një fushatë vaksinimi masive, duhet të angazhoheni me të gjitha palët.”
Studimet në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende tjera kanë treguar se njerëzit me ngjyrë dhe ata nga pakicat etnike janë më të rrezikuar të kontraktohen dhe të vdesin nga COVID-19, si rezultat i kushteve gjenetike si diabeti si dhe rrethanave socio-ekonomike si kushtet e jetesës dhe okupimi.
Një raport nga Shëndeti Publik në Angli gjithashtu tha se racizmi strukturor dhe përvojat e dobëta të kujdesit shëndetësor publik e bënë më pak të mundshme për disa grupe që të kërkojnë kujdes kur është e nevojshme.
Kujtojmë se Britania u bë vendi i parë në botë që filloi përdorimin e vaksinës Pfizer dhe BioNTech kundër COVID-19, e cila ka një normë efikasiteti prej rreth 95%.
Rreth 138 mijë njerëz deri tani kanë marrë dozën e parë nga dy të kërkuara.