E pranon mbreti i Suedisë: Dështuam që t’i mbrojmë të moshuarit, kemi shumë të vdekur

Evropë

E pranon mbreti i Suedisë: Dështuam që t’i mbrojmë të moshuarit, kemi shumë të vdekur

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 11:27
Princi Carl Philip

Mbreti i Suedisë, Karl XVI Kustaf, ka thënë se vendi i tij ka dështuar që t’i mbrojë personat e moshuar në shtëpitë e kujdesit nga efekti i pandemisë.

“Mendoj se kemi dështuar. Kemi numër të madh të të vdekurve dhe kjo është e tmerrshme. Është diçka nga e cila vuajmë të gjithë”, tha monarku.

“Mendoni për të gjithë anëtarët e familjes që s’kanë mundur t’ua japin lamtumirën familjarëve të tyre. Mendoj se është përvojë e rëndë dhe traumatike të mos mund ta ofrosh një lamtumirë të ngrohtë”, shtoi ai.

Komentet e tij erdhën pas publikimit të raportit të një komisioni të pavarur, i cili e hulumtoi menaxhimin e pandemisë nga Suedia. Në raport thuhet se kujdesi ndaj të moshuarve në shtetin skandinav ka defekte të rëndësishme strukturore dhe se autoritetet janë treguar të papërgatitura dhe nuk kanë qenë të pajisura mirë për t’u përballur me pandeminë.

Djali i mbretit, Princi Carl Philip, dhe bashkëshortja e tij, Princesha Sofia, kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus dhe kanë pasur simptoma të lehta. Ata janë izoluar në shtëpi së bashku me dy fëmijët e tyre.

Suedia është dalluar nga shtetet tjera evropiane për shkak të mënyrës së menaxhimit të pandemisë, duke mos vendosur masa të rrepta izoluese, por duke u mbështetur në përgjegjësinë e qytetarëve. Deri më tani, në Suedi janë regjistruar afro 7.700 të vdekur nga koronavirusi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat