Holanda është futur në një bllokim të dytë për të paktën pesë javë, duke filluar nga kjo e martë.
Masat e reja të ashpra në të gjithë vendin nënkuptojnë që shkollat, dyqanet jo-jetike, muzetë dhe palestrat do të qëndrojnë të mbyllura deri më 19 janar, deklaroi kryeministri Mark Rutte.
Ndërsa ai mbante fjalimin në zyrën e tij në Hagë, jashtë saj dëgjoheshin protestuesit kundër masave anti-COVID.
Gjithashtu edhe salloneve të bukurisë dhe teatrove iu vu çelësi, transmeton Monitor.
Të gjitha shkollat dhe universitetet do të kalojnë mësimin online, në distancë nga e mërkura. Çerdhet do të jenë të mbyllura për të gjithë përveç fëmijëve të punëtorëve kryesorë.
Qeveria gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos lejojnë më shumë se dy mysafirë mbi moshën 13 vjeç në ditë, ndërsa në datat 24-26, mund të lejohen deri në tre të ftuar.
Baret dhe restorantet janë mbyllur që nga mesi i tetorit, megjithëse shumë restorante e kafene kanë ofruar shërbimin “delivery”.
Rreth 10 mijë persona kanë humbur jetën nga virusi në Holandë që nga fillimi i pandemisë.
Kryeministri tha se me vaksinimet që fillojnë më vitin e ri, 2021 do të jetë një vit “i shpresës, i dritës në fund të tunelit”.