Një ditë e rëndësishme sot për Italinë në luftën e saj kundër pandemisë globale e cila ka goditur fort dhe në këtë fazë të dytë duke e bërë vendin europian me numrin më të lartë të viktimave që çdo ditë shënojnë një shifër impresionuese.
Një dekret i ri i qeverisë së Giuseppe Contes pritet të vendos një regjim të ri lockdowni i cili duket i paevitueshëm në prag të festave të fundvitit.
Kurba e pandemisë e shpreh qartësisht kërkesën e një izolimi të ri të vendit, për të evituar festimet e grumbullimet gjatë ditëve të Krishtlindjes e të ndërrimit të viteve.
Sipas zërave mediatikë, pritet që lockdowni i ri të zgjas nga data 24 dhjetor e deri më 3 ose 6 janar 2021.
Do të ndalohen lëvizjet mes rajoneve e lëvizjet mes komunave brenda të njëjtit rajon.
Baret, lokalet, pubet, restorantet, pastiçeritë do të jenë të mbyllura ose mund të hapen me orar të kufizuar. Do të ndalohen festat e gjera me familjarë që nuk banojnë në të njëjtën shtëpi e do të lejohen bashkimi vetëm për ata persona që kanë probleme shëndetësore.
Mesha e Krishtlindjes do të paraprihet në orar, nuk do të jetë në mesnatë e për momentin duket se do të jetë e lejueshme pjesëmarrja në kishë por duke respektuar distancimin social e evituar gjestin e shkëmbimit të paqtë të dorës.
Do të jetë një fundvit i pazakontë për popullin italian, detyruar nga pandemia globale.
Në rrugët e sheshe pritet të patrullojnë mbi 70 mijë forca rendi, për të garantuar masat e reja të qeverisë që pritet të bëhet publike gjatë orëve të ardhshme.