Pas miratimit të vaksinave të para kundër Covid-19, agjencia globale e policisë Interpol paralajmëron shtimin e krimit, sidomos vjedhjet dhe sulmimin e kamionëve që i transportojnë. Në Gjermani policia federale do të dislokohet për të garantuar transportimin e vaksinës që do të magazinohet në vende sekrete.
Shefi i Interpolit Juergen Stock parashikoi të hënën një rritje të menjëhershme të krimit, me grabitësit që do të fusin duart tek vaksinat e çmuara që synojnë të ndalojnë pandeminë e koronavirusit.
“Me daljen e vaksinave, krimi do të rritet në mënyrë dramatike,” i tha Stock revistës gjermane “Java Ekonomike”.
“Presim të shohim vjedhjen e magazinave ku ruhen vaksinat apo sulmimin e kamionëve që i transportojnë,” shton Stock.
Sekretari i Përgjithshëm i agjencisë globale të policisë me seli në Francë, pret gjithashtu më shumë raste korrupsioni në lidhje me vaksinat e kundër Covid-19.
“Në shumë vend korrupsioni do të jetë i shfrenuar pasi më të rrezikuarit nga sëmundja do të duan të vaksinohen sa më parë,” tha Stock.
Vaksina e prodhuar nga firma gjermane BioNTech dhe gjiganti amerikan Pfizer është miratuan për përdorim në 16 vende. Pas miratimit nga Agjencia Europiane e Barnave, dozat e para të vaksinës do të shpërndahen në bllok rreth Krishtlindjes.
Në Gjermani policia federale do të dislokohet për të garantuar transportimin e vaksinës që është menduar të magazinohet në vende sekrete. Përveç vjedhjeve dhe korrupsionit, ekziston frika e sabotimit të procesit nga grupet kundër vaksinimit.