Rusia ka vendosur ndalimin e hyrjes në vend për disa punonjës të qeverisë gjermane. Kjo është në përgjigje të sanksioneve të BE-së në çështjen Navalny. Emrat e personave në fjalë nuk janë publikuar; ata mësojnë për ndalesën vetëm kur tentojnë hyrjen në Rusi.
Rusia ka vendosur ndalim- hyrje për përfaqësuesit e aparatit të qeverisë gjermane. Kjo u njoftua të martën për të ngarkuarën me punë të Ambasadës Gjermane në Moskë, Beate Grzeski, gjatë një bisede në Ministrinë e Jashtme Ruse, siç mësoi Agjencia Gjermane e Shtypit nga Zyra e Jashtme në Berlin.
Moska po reagon ndaj sanksioneve të vendosura nga BE për helmimin e aktivistit rus të opozitës Alexei Navalny. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov njoftoi masat ndëshkuese në nëntor. Emrat e personave në fjalë nuk u bënë të ditur. Për ndalesën do të mësojnë vetëm kur tentojnë hyrjen në Rusi.
BE vendosi sanksione ndaj zyrtarëve rusë në tetor sepse, sipas mendimit të saj, sulmi me helm ndaj Navalny nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë dhe miratimin e personaliteteve shtetërore ruse. Masat ndëshkuese të BE përfshijnë ndalimet e hyrjes në BE dhe ngrirjen e pronave. Përveç kësaj, evropianët nuk lejohen më të bëjnë biznes me të prekurit. Po ashtu renditet instituti kërkimor shtetëror rus për kimi dhe teknologji organike, për të cilën thuhet se ka zhvilluar agjentin e luftës.
Lavrov njoftoi kundërmasat në një konferencë shtypi në mes të nëntorit: "Për shkak se Gjermania ishte lokomotiva për sanksionet e BE në lidhje me Navalny dhe sepse sanksionet prekin stafin e lartë në administratën presidenciale ruse, përgjigjja jonë do të pasqyrohet." Ai gjithashtu shpalli sanksione edhe kundër Francës. Përfaqësues nga Franca dhe Suedia morën pjesë gjithashtu në bisedën në Ministrinë e Jashtme të Moskës të Martën.
Zyra e Jashtme i bën thirrje Rusisë të sqarojë rastin
Gjatë bisedës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i ngarkuari me punë i Gjermanisë u informua se ndalesat e hyrjes në Rusi kishin të bënin me sanksionet që kishte aplikuar BE. "Detaje të mëtejshme nuk u zbuluan," tha Zyra e Jashtme. Është praktikë e zakonshme nga pala ruse, që emrat të mos zbulohen. BE, megjithatë, kishte emëruar emrat.
Rusia tashmë u ishte përgjigjur sanksioneve nga BE dhe shtetet e tjera pas një sulmi helmues ndaj ish-agjentit të dyfishtë Sergej Skripal në Britaninë e Madhe me kundërmasa të ngjashme në 2018. Në atë kohë bëhej fjalë për dëbimin e diplomatëve.
"Ndërsa ky model i kundërmasave ruse është i njohur nga e kaluara, Qeveria Federale beson se mbetet e pajustifikuar," tha Zyra e Jashtme. "Incidenti nuk është një rast dypalësh, por mbetet një rast i dimensionit ndërkombëtar, për shkak të shkeljes së ligjit ndërkombëtar që përfshin përdorimin e një agjenti nervor kimik." Zyra e Jashtme edhe një herë i kërkoi Rusisë të hetojë çështjen. "Deri më tani, Rusia nuk ka treguar gatishmëri për ta bërë këtë," tha ajo.
Navalny telefonon një vrasës të dyshuar
Navalny u alivanos në gusht gjatë një fluturimi në territorin rus. Dy ditë më vonë ai u soll në Spitalin Universitar Charité në Berlin, i shtrirë në koma, për mjekim. Rezultatet laboratorike mbi helmimin nga Novichok janë konfirmuar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).
Navalny kishte njoftuar të hënën përmes shërbimit të mesazheve të shkurtra Twitter se një punonjës i shërbimit të brendshëm rus të inteligjencës FSB i kishte pranuar atij se ai ishte përfshirë në sulmin ndaj tij. Navalny gjithashtu publikoi një transkript dhe një regjistrim të thirrjes telefonike më shumë se 45 minuta .