Krishtlindje në Itali, qytetarët nuk ndihen entuziastë, bizneset në vështirësi

Evropë

Krishtlindje në Itali, qytetarët nuk ndihen entuziastë, bizneset në vështirësi

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 16:38
Itali

Festa e Krishtlindjes në Itali sikundër në të gjithë botën ka marrë një tjetër pamje, aspak të zakontë nga ajo që jemi mësuar.

Masat kufizuese dhe izolimi në shtetin fqinj u bë me dije shumë më mbrapa sesa vendet e tjera të bllokut, masa që hyjnë në fuqi pikërisht në sezonin festiv.

Izolimi në zonat e kuqe do të vijojë për të paktën 10 ditë. Baret dhe restorantet që kishin planifikuar të qëndronin hapur do të duhet të mbyllen për të gjithë këtë periudhë. Familjet u detyruan të anulojnë  grumbullimet dhe nuk mund të udhëtojnë për të vizituar të afërmit. 

Për shumë nga qytetarët italianë të cilët përjetuan më së shumti këtë pandemi, në këtë periudhë nuk  ka shumë për të festuar. Shumë prej tyre ende janë duke vuajtur për humbjen e të afërmve pikërisht për shkak të COVID-19, por Krishtlindja ndihet në ajër, në dekorime, e për herë të parë të gjithë duhet të ruajmë distancën fizike.

Bizneset nga ana tjetër po paguajnë çmimin më të lartë. Baret dhe restorantet janë duke vuajtur muaj të tërë bllokimi. Një ndihmë financiare në vlerë prej 64,5 milion euro do tu jepet  nga qeveria për të mbuluar humbjet por kjo paketë është e pamjaftueshme dhe vendimi për mbyllje erdhi tepër vonë.

“Duhej të hidhnim rezervat e ushqimit që kishim blerë tashmë për Krishtlindje dhe prag të Vitit të Ri dhe mbi të gjitha na u desh të anulonim rreth 80 rezervime për të gjithë periudhën,” – u shpreh Pasquale Bombardieri, një menaxher restoranti

Roma së bashku me Firencen dhe Venecian janë shumë të varura nga turistët e huaj, ndërsa është vlerësuar se në vitin 2020 kryeqyteti i Italisë humbi rreth 55% të vizitorëve të saj ndërkombëtarë.

Megjithëse mungesa e turizmit është fajtore për humbjen e klientëve,  është mjaft e rrallë të shohësh të shkretuara baret dhe restorantet të cilat normalisht janë të mbushura dhe duket se këtë vit Krishtlindja do të jetë një përvojë ndryshe për shumicën e italianëve.

Ndërsa nxitojnë të blejnë dhuratat e fundit të Krishtlindjes njerëzit nuk janë në gjendje të bëjnë shpenzime. Disa prej tyre thonë se nuk ka asgjë për të festuar dhe duket sikur nuk ka të bëjë vetëm me kufizimet e fundit, mendimet e tyre shkojnë edhe për viktimat e COVID-19.

“Nuk dua të blej shumë këtë vit pasi ndihem shumë e pikëlluar për humbjen e kunatit tim që vdiq nga COVID-19. Ai punonte mjek, vdiq ndërsa ishte në detyrë. Erdha këtu sot (në qendrën tregtare) të shpërqendrohem për pak. Për mua nuk janë Krishtlindje, jo vetëm sepse kunati im vdiq, por edhe sepse shumë njerëz të tjerë kanë humbur jetën,” – u shpreh një qytetare.

Por ka edhe nga ata që duan t’i jetojnë këto festa.

“Nuk kemi dalë shumë, nuk shkuam për pushime as në verë dhe meqenëse nuk mund të dalim gjatë javës kam kursyer para dhe dua t’i shpenzoj për veten time,” – tha një qytetar.

Ndërsa viti i dominuar nga COVID po përfundon, shumë italianë shpresojnë që një sezon festiv i kufizuar do të jetë një sakrificë afatshkurtër çka do të mundësojë që rruga drejt 2021 të jetë më e mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat