Sikundër në shumë shtete edhe italianët do t’i kalojnë këto festa të izoluar. Nga dita e enjte në shtetin fqinj kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese, të cilat do t’i shoqërojnë qytetarët gjatë të gjithë periudhës festive.
Një izolim i tillë është i ngjashëm me bllokimin e vendosur gjatë muajve mars-maj, në valën e parë të pandemisë pasi Italia është një nga vendet më të goditur nga COVID-19 në Evropë.
Piazza di Spanja, një nga vendet më të famshme të Romës është thuajse bosh, me pak kalimtarë që mund të shihen jashtë, pjesa më e madhe e dyqaneve po ashtu janë të mbyllur.
Në rrugë ka vetëm oficerë policie, të cilët kanë për detyrë të kontrollojnë banorët nëse janë duke respektuar masat kufizuese.
Qeveria italiane u ka kërkuar qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi nga dita e enjte deri të dielën. E po ashtu të mos dalin në 31 dhjetor deri në 6 janar në vitit 2021. Lejohet të lëvizin vetëm ata që janë të pajisur me certifikata pune, punonjësit e shëndetit, dhe për të blerë ushqimet e nevojshme. Duke qenë se njerëzit kanë traditë të bashkohen me familjen në festat e fundvitit, qeveria ka lehtësuar kufizimet në një masë të vogël duke lejuar një vizitë familjare në ditë.
Italia vijon të raportojë shifra të larta me COVID 19. Një ditë më parë u regjistruan në vetëm 24 orë 18,040 infeksione të reja, në total që nga nisja e pandemisë në shtetin fqinj ka rreth 2 milionë të prekur me sars cov 2.