George Blake, i cili ka ndërruar jetë në Rusi në moshën 98 vjeçare, ishte i fundit nga radhët e spiunëve britanikë, puna sekrete e të cilëve e poshtëroi inteligjencën e vendeve perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë.
Britania e Madhe e ka akuzuar agjentin Blake për zbulimin e identiteteve të qindra agjentëve perëndimorë që ndodheshin në të gjithë Evropën Lindore në vitet 1950 – disa prej të cilëve u ekzekutuan si rezultat i tradhtisë së tij, shkruan Reuters.
I demaskuar si spiun i Bashkimit Sovjetik në 1961, Blake u dënua me 52 vjet burgim dhe u burgos në Wormwood Scrubs të Londrës.
Mirëpo ai u arratis në vitin 1966 me ndihmën e të burgosurve të tjerë. Pastaj në mënyrë të fshehtë e ka kaluar Perden e Hekurt dhe është futur në Berlinin Lindor të asaj kohe.
Ai e kaloi pjesën e tjetër të jetës së tij në Bashkimin Sovjetik dhe më pas në Rusi, ku është trajtuar si hero.
Në një intervistë për Reuters të zhvilluar në Moskë, Blake ka thënë se ka besuar se “bota ishte në prag të komunizmit”.
“Mendoja se mund të ishte dhe bëra atë që munda për të ndihmuar, për të ndërtuar një shoqëri të tillë. Mendoj se është një ide fisnike dhe se njerëzimi do të kthehet tek ajo”.