Franca iu bashkua të dielën fushatës së Bashkimit Evropian për vaksinimin kundër koronavirusit, por vetëm një numër i vogël e kanë kryer atë.
Një sondazh i fundit tregoi se katër në dhjetë persona apo 60 për qind e francezëve nuk pranojnë të vaksinohen.
Në tri ditë, vaksinën e Pfizer-it e kanë bërë më pak se 100 veta, prandaj qeveria po kritikohet se nuk po bën sa duhet për t’i bindur francezët për sigurinë e saj.
Nga ana tjetër, në Gjermani deri tani janë vaksinuar mbi 40 mijë persona, 600 mijë britanikë kanë marrë dozat e para dhe në Amerikë, mbi 1 milion shtetas të tjerë.
Sondazhi i Forumit Ekonomik Botëror tregoi një ditë më parë se 80 për qind e kinezëve, 78% e brazilianëve dhe 62 % e spanjollëve dhe italianëve janë të hapur ta bëjnë vaksinën nëse do u jepej mundësia.
Më ngurrues paraqiten banorët e tri vendeve, Afrikës së Jugut, Rusisë dhe Francës, ku më të gatshmit variojnë nga 53, në 43 dhe 40 për qind.
“Të kemi besim te shkencëtarët dhe doktorët tanë. Jemi atdheu i Lumierëve dhe i Lui Pastërit, ndaj duhet të na udhëheqë arsyeja dhe shkenca,” komentoi në Twitter presidenti francez, Emmanuel Macron, duke apeluar kundër skepticizmit për vaksinën.
Autoritetet franceze këmbëngulin se vaksina anticovid nuk do të jetë e detyrueshme dhe se do u lënë kohë qytetarëve të binden për rëndësinë e saj.
Në vendet e zhvilluara, sondazhi i Forumit Ekonomik Botëror tregon se hezitimi për vaksinat lidhet kryesisht me frikën nga efektet e saj anësore, nga efikasiteti dhe për arsyen se nuk e konsiderojnë veten të rrezikuar edhe nëse infektohen me Covid-19.