Një seri pasgoditjesh tronditën Kroacinë qendrore të mërkurën, një ditë pasi një tërmet me fuqi prej 6.4 shkallësh la të paktën shtatë të vdekur, dhjetëra të plagosur dhe disa qytete e fshatra të rrënuara.
Lëkundja më e fortë, me fuqi prej 4.7 u regjistrua të mërkurën herët në afërsi të qytetit të dëmtuar rëndë, Petrinja, rreth 40 kilometra në juglindje të kryeqytetit kroat, Zagreb.
Shumë njerëz e kaluan natën në tenda, në makinat e tyre apo në kazermat ushtarake.
Shiu që ra gjatë natës në zonë e ktheu pluhurin nga rrënojat në baltë, duke e bërë situatën edhe më të vështirë.
Ekipet e shpëtimit kaluan natën duke kërkuar nëpër rrënojat e ndërtesave të dëmtuara rëndë në kërkim të të mbijetuarve të mundshëm.
Zyrtarët thanë se një vajzë 12-vjeçare vdiq në Petrinja, një qytet me rreth 25 mijë banorë.
Pesë viktima të tjera u gjetën në një fshat afër Glinës që ishte dëmtuar rëndë.
Më pas ekipet e shpëtimit thanë se e gjetën viktimën e shtatë në rrënojat e një kishe në fshatin Zazina.
Të paktën 26 persona po trajtohen në spitale.
Tërmeti i së martës, i cili ishte më i fuqishmi në Kroaci që nga futja në përdorim të sistemit modern të matjes sizmike, u ndje në të gjithë rajonin, duke përfshirë Bosnjën, Serbinë dhe Slloveninë fqinje, e cila mbylli centralin e vetëm bërthamor në Kërshko si një masë paraprake.
Të hënën, një tërmet me magnitudë 5.2 goditi Kroacinë qendrore, gjithashtu pranë Petrinjës.
Kosova e gatshme të ndihmojë Kroacinë
Në Kosovë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, shprehën gatishmërinë për të mbështetur Kroacinë në përballjen me pasojat e tërmetit.
Zonja Osmani i shkroi presidenti kroat, Zoran Milanoviç, duke i ofruar mbështetje përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ndërsa zoti Hoti, në një letër dërguar kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviç, tha po ashtu se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme ta ndihmojë Kroacinë.
Në mars, një tërmet me magnitudë prej 5.3 shkallësh tronditi Zagrebin, duke shkaktuar një të vdekur dhe duke plagosur 27 të tjerë./VOA