Francezët nuk iu bindën shtetrrethimit, u mblodhën në sheshe për të festuar

Evropë

Francezët nuk iu bindën shtetrrethimit, u mblodhën në sheshe për të festuar

Më: 2 janar 2021 Në ora: 15:42
Francë

Francezët nuk i janë bindur urdhrave të qeverisë për t’u mbyllur në natën e ndërrimit të viteve. Shumë qytetarë respektuan me përpikmëri masat anti-Covid të vendosura, por kishte nga ata që këto masa i shkelën me dy këmbët.

Sipas asaj që raporton policia franceze, më shumë se 2500 qytetarë në Rennes thyen rregulloren kundër koronavirusit, duke mbajtur një mbrëmje dëfrimi pa maska, jashtë çdo distancimi fizik dhe për më tepër në një hapësirë jo shumë të madhe.

U desh ndërhyrja e policisë franceze për të ndaluar festimet, megjithatë hasën në reagimin e pjesëmarrësve të cilët nisën t’i sulmonin. Të paktën 3 efektivë policie morën plagë të lehta, ndërkohë që të rinjtë i vunë flakën edhe disa makinave aty pranë.

Policia lëshoi gjoba për festuesit dhe identifikoi organizatorët, ndaj të cilëve u morën masa më të ashpra. Nga informacioni i shpërndarë, rezultoi se pjesëmarrës në këtë festë ishin edhe turistë nga Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar.  

Franca prezantoi rregulla të rrepta përpara festës së Vitit të Ri, përfshirë shtetrrethimin nga ora 20:00 deri në orën 06:00.

Më shumë se 100 mijë oficerë policie u vendosën në të gjithë vendin për të parandaluar organizimet dhe tubimet në mbrëmjen e ndërrimit të vitit në vend. Franca ka regjistruar më shumë se 2.6 milionë raste me koronavirus dhe 64,892 vdekje që nga fillimi i pandemisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat