Në një dalje për mediat Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen theksoi se 75 milionë doza e reja të siguruara do të jenë në dispozicion duke nisur nga tremujori i dytë i vitit. Sipas saj, në procesin e vaksinimit nuk do të mbeten pas as vendet fqinje.
“Tanimë kemi siguruar 300 milionë doza të vaksinës BionTech-Pfizer. Lajmi i mirë është se kemi rënë dakord me BionTech-Pfzier për të zgjatur këtë kontratë.
Me fjalë të tjera, kjo do të na lejojë të dyfishojmë sasinë e dozave. Me dy vaksina të autorizuara tashmë kemi siguruar një sasi dozash të mjaftueshme që na duhen për të vaksinuar 380 milion Evropianë. Kjo është më shumë se 80 për qind e popullsisë evropiane. Dhe vaksinat e tjera do të pasojnë në javët dhe muajt e ardhshëm", u shpreh Presidentja e Komisionit Evropian
Komisioni Evropian ka premtuar 70 milionë euro për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të sigurojnë vaksinat kundër coronavirusit nga sasia e dozave që janë porositur nga shtetet e Bashkimit Evropian. Është rënë dakord që vendet anëtare që kanë sasi të tepërta do t’ua japin Ballkanit Perëndimor.
Duke iu përgjigjur kritikave për ritmin e ngadaltë dhe mënyrën e shpërndarjes së vaksinës, presidentja e Komisionit Evropian nënvizoi se nuk do të ketë negociata paralele.
Pas miratimit të vaksinës Pfizer, procesi i vaksinimit në vendet e BB nisi në 27 dhjetor, ndërsa Komisioni Evropian pritet të miratojë edhe vaksinën Moderna, pas aprovimit që mori nga Agjencia Evropiane e Barnave.